Shiti aviobileta që nuk u realizuan, arrestohet një person për mashtrim

- Gazeta e Prizrenit

Shiti aviobileta që nuk u realizuan, arrestohet një person për mashtrim

Një person është dërguar në mbajtje për 48 orë nën dyshimin për “Mashtrim të konsumatorëve”, pasi dyshohet se i ka shitur një familjeje aviobileta në vlerë prej 1,150 eurosh për linjën Hamburg–Prishtinë dhe anasjelltas, të cilat nuk janë realizuar.

Rasti është bërë i ditur nga Policia e Kosovës, e cila njofton se më 15 korrik 2026 ka pranuar ankesën e përcjellë nga Inspektorati i Tregut (MINT), lidhur me dyshimet për kryerjen e kësaj vepre penale nga një kompani private për shitje të biletave të udhëtimit.

Sipas Policisë, viktima së bashku me familjen e tij kishte blerë aviobileta gjatë muajit korrik 2025 për destinacionin Hamburg–Prishtinë dhe anasjelltas, në vlerë prej 1,150 eurosh.

Përkundër pagesës së biletave, familja nuk ka mundur t’i realizojë fluturimet në asnjërin drejtim. Si pasojë, ata janë detyruar të blejnë bileta të tjera për fluturime alternative, duke pësuar një dëm shtesë prej 1,600 eurosh.

I dyshuari, i cili është person përgjegjës, është intervistuar fillimisht më 28 korrik 2026. Me konsultim me prokurorin, atij i është dhënë kohë dhe mundësi për të riparuar dëmin e shkaktuar.

Sot, më 20 gusht 2026, i dyshuari është intervistuar përsëri në prani të avokatit të tij mbrojtës.

Meqenëse, sipas Policisë, i njëjti nuk e ka riparuar dëmin e shkaktuar, pas përfundimit të intervistimit, me aktvendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.



Read it all at Gazeta e Prizrenit