Haradinaj propozon Hashim Thaçin për president:

- Gazeta e Prizrenit

Haradinaj propozon Hashim Thaçin për president:

Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka propozuar që ish-presidentit Hashim Thaçi t’i vazhdohet mandati, duke e cilësuar këtë si një mundësi për të shmangur, sipas tij, mbajtjen peng të vendit në krizën aktuale institucionale.

“Është nder edhe i kësaj legjislature që t’ia vazhdojmë mandatit presidentit Thaçi, atij i është marrë mandati, dhe me kthimin e tij, është në nderin tonë si shqiptarë, si komb, për shkak të një kundërpërgjigjeje armiqve të Kosovës, që t’ua vazhdojmë mandatin”, u shpreh ai.

Haradinaj, ndërkohë, ka kritikuar ashpër situatën aktuale institucionale në vend, duke akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e bllokon funksionimin e Kuvendit dhe po e mban Kosovën në krizë politike.

Ai ka thënë se ditët po kalojnë ndërsa Kuvendi vazhdon të mbetet i pakonstituuar, duke e cilësuar këtë si “djegie të mandatit” të deputetëve të zgjedhur.

“Ditët po kalojnë, seanca, Kuvendi është inekzistent. E vërtetë që është djegie e mandatit të atyre që janë zgjedhur, djegie e mundësisë dhe kjo po ndodh nga regjimi i Kurtit”.

Sipas Haradinajt, mos-thirrja e seancës me arsyetimin se mungesa e një marrëveshjeje mund të shkaktojë tensione apo dhunë në Kuvend është vetëm një alibi.

“Ai e ka instaluar veten mbi Kushtetutën, institucionet dhe mbi çdo obligim kushtetues dhe ligjor. Mos-thirrja e seancës me arsyetimin se nëse s’ka marrëveshje ndodh dhunë në seancë, është vetëm alibi”.

Haradinaj ka folur edhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke e cilësuar edhe këtë si një arsyetim për zvarritjen e procesit.

“Çështja e marrëveshjes për president edhe kjo është alibi që ndodh qëllimshëm.”



Read it all at Gazeta e Prizrenit