Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar në mungesë ndaj 53 të pandehurve, të akuzuar për veprën penale “Krime të Luftës kundër popullsisë civile”.
Sipas njoftimit të gjykatës, çështja penale është ngritur mbi aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila përfshin 53 persona të akuzuar për veprën penale sipas legjislacionit të atëhershëm penal të ish-Jugosllavisë, ndërsa tani të inkriminuar sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykimi do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, pasi, sipas gjykatës, ata kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.
Gjykata u ka bërë thirrje të akuzuarve që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të drejtësisë në Kosovë.
Po ashtu, qytetarëve që kanë informacione për vendndodhjen e tyre u është bërë thirrje që këto të dhëna t’ua përcjellin Policisë së Kosovës ose organeve të tjera kompetente.
Seanca e shqyrtimit fillestar është caktuar të mbahet më 15 shtator 2026, në ora 09:00, në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali, Objekti D. Seancën do ta kryesojë gjyqtarja Violeta Namani-Hajra.
Gjykata ka bërë të ditur se aktakuza dhe ftesat për seancë janë publikuar në ueb-faqen e saj dhe në Gazetën Zyrtare.
Rasti lidhet me akuzat për krime lufte kundër popullsisë civile, ndërsa gjykata ka njoftuar se do ta informojë opinionin për zhvillimet e mëtejshme të procedurës.