“Mbi 300 klasë me më pak se pesë nxënës”, shkollat e Kosovës drejt boshatisjes

- Gazeta e Prizrenit

“Mbi 300 klasë me më pak se pesë nxënës”, shkollat e Kosovës drejt boshatisjes

Teksa shkollat në Kosovë janë në përgatitje e sipër për fillimin e vitit të ri shkollor, komunat po përballen me një sfidë të re, më pak nxënës por edhe ndryshime të financimit në sektorin e arsimit.

Gazetarja e Klan Kosovës, Dafina Jegeni, në emisionin “Ora Shtatë” theksoi se gabimi kryesor për sektorin e arsimit është mungesa e një plani afatgjatë nga ana e Ministrisë së Arsimit, transmeton Klankosova.

“Është gabim edhe forma e financimit për kokë të nxënësit, kryesisht duhet të ndërrohet kjo politikë. Nuk jam për me u shkurtu vendet e punës, sepse ata mësimdhënës e kanë atë profesion, por te ne duhet me e ditë se ku me i çu ata mësimdhënës”, u shpreh Jegeni në Klan Kosova.

Demografi, Besim Gollopeni, në Klan Kosova bëri të ditur se ekzistojnë dy faktorë që çojnë në mbylljen ose braktisjen e shkollave në vendin tonë.

“E para është faktori natyror, që çdo vit e më shumë po shkon në zvogëlimin e numrit të përgjithshëm të popullsisë, por edhe shtimit natyror të përgjithshëm të popullsisë, dhe në anën tjetër kemi lëvizjet mekanike të popullsisë, si ato të brendshme por edhe migrimet e jashtme”, u shpreh ai në emisionin “Ora Shtatë”.

Ai shtoi se niveli i emigracionit në Kosovë duhet të ngrejë alarmin për politikbërje dhe vendimmarrje.

Nga ana tjetër, Agon Ahmeti nga ETEA, deklaroi në Klan Kosova se sipas të dhënave të Bankës Botërore, vendi ynë ka 60 për qind të shkollave që aktualisht kanë më pak se 250 nxënës.

“Sipas të dhënave të mëparshme të GAP-it kemi rreth 300 klasë në nivel vendi që kanë më pas se pesë nxënës brenda klasës, që është goxha problematike edhe për zhvillimin e tyre social e intelektual”, tha Ahmeti në emisionin “Ora Shtatë”.



Read it all at Gazeta e Prizrenit