Krejt çka ndodhi në tragjedinë në Prizren: 15-vjeçari u ther për vdekje, Policia kapi 17-vjeçarin e dyshuar, thika iu gjet në xhep

- Gazeta e Prizrenit

Krejt çka ndodhi në tragjedinë në Prizren: 15-vjeçari u ther për vdekje, Policia kapi 17-vjeçarin e dyshuar, thika iu gjet në xhep
Një natë tragjike ka tronditur Prizrenin, ku një 15-vjeçar humbi jetën pasi u ther me thikë, ndërsa një tjetër i mitur, vetëm 17 vjeç, është arrestuar nën dyshimin për vrasjen.

Sinjali sjell detajet e rastit, nga informacioni i parë që mori Policia, përpjekjet për ta shpëtuar viktimën, arrestimi i të dyshuarit dhe deri te veprimet e para hetimore që vazhduan gjatë natës.

Ngjarja ndodhi të enjten, më 27 gusht, rreth orës 23:40, në rrugën “Shotë Galica” në Prizren.

Policia fillimisht mori informacion për një person të therur me thikë dhe njësia patrulluese u nis menjëherë drejt lokacionit.

Kur policët mbërritën, aty ndodhej tashmë ekipi i Urgjencës. Viktima, O.P., i lindur më 2011, ishte futur në autoambulancë, ku i ishte dhënë ndihma e parë.

Për shkak të gjendjes së rëndë, 15-vjeçari është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit për trajtim të mëtejshëm.

I dyshuari u gjet pranë vendit të ngjarjes – thika iu sekuestrua nga xhepi

Ndërkohë që po zhvillohej intervenimi për shpëtimin e viktimës, Policia ka hasur, jo shumë larg vendit të ngjarjes, 17-vjeçarin E.H., i lindur më 2009, i cili dyshohet për rastin.

Ai është arrestuar menjëherë.

Gjatë kontrollit trupor, sipas të dhënave të rastit, policët i kanë gjetur në xhep një thikë, e cila dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës.

Thika është sekuestruar si provë materiale, ndërsa i mituri është shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren.

Mjekët nuk arritën ta shpëtonin 15-vjeçarin

Në të njëjtën kohë, në spital po zhvillohej beteja për jetën e viktimës.

Pavarësisht trajtimit të ofruar nga ekipet mjekësore, plagët rezultuan fatale.

15-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë lëndimeve dhe vdekja e tij u konfirmua në Spitalin Rajonal të Prizrenit.


Pas konfirmimit të vdekjes, rasti mori përmasat e një hetimi për vrasje.

Në vendngjarje dolën hetuesit policorë, Krim-Teknika, hetuesit rajonalë, si dhe drejtues të njësive policore, ndërsa për rastin u njoftua edhe Prokurori i Shtetit.

Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do t’i nënshtrohet obduksionit.

17-vjeçari u mbrojt në heshtje

Procedurat ndaj të dyshuarit kanë vazhduar në zyrat e hetimeve rajonale në Prizren.

Për shkak se bëhet fjalë për të mitur, gjatë procedurave ka qenë i pranishëm babai i tij, ndërsa atij i është siguruar edhe avokat mbrojtës sipas detyrës zyrtare dhe punëtor social.

Sipas informacioneve të rastit, 17-vjeçari, pas konsultimit me mbrojtësin, ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, ndërsa prokurori është i informuar për gjendjen e tij emocionale.

Atij i është ofruar edhe trajtim mjekësor në spital.

Pas koordinimit me Prokurorin kujdestar është marrë vendim që i mituri të ndalohet për 24 orë.

Rasti po hetohet nga hetuesit rajonalë në Prizren, ndërsa mbetet të sqarohet motivi dhe dinamika e plotë që çoi në tragjedinë ku një 15-vjeçar humbi jetën dhe një 17-vjeçar përfundoi nën dyshimin për vrasjen e tij.



Read it all at Gazeta e Prizrenit