Policia e Kosovës ka realizuar dy ekstradime në bashkëpunim me autoritetet e Shqipërisë dhe Zvicrës, përkatësisht një person është ekstraduar nga Kosova në Shqipëri, ndërsa një shtetas kosovar është sjellë nga Zvicra në Kosovë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 27 gusht 2026, shtetasi kosovar H.M. është ekstraduar nga Kosova në Shqipëri, pasi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë shqiptare për veprën penale “Vjedhja e rëndë”.
Ekstradimi është realizuar në pikëkalimin kufitar “Vërmicë”, ku i dyshuari iu është dorëzuar autoriteteve shqiptare për procedura të mëtejshme ligjore.
Ndërkaq, më 28 gusht 2026, nga Zvicra në Kosovë është ekstraduar shtetasi kosovar P.S., i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë kosovare për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
Sipas Policisë, ky ekstradim është realizuar përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ku i dyshuari iu është dorëzuar njësive përgjegjëse të Policisë, nga Stacioni Policor në Viti, për procedura të mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se këto ekstradime janë realizuar falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe dy shteteve përkatëse.