Mbi 19 milionë euro të Komunës së Prizrenit shkuan për vendime gjyqësore brenda shtatë muajve

- Gazeta e Prizrenit

Mbi 19 milionë euro të Komunës së Prizrenit shkuan për vendime gjyqësore brenda shtatë muajve

Dokumentet financiare të vetë Komunës së Prizrenit japin një pasqyrë shqetësuese për ndikimin që vendimet gjyqësore po kanë mbi financat e komunës së dytë më të madhe në vend. Pjesa dërrmuese e barrës, figuron në kategorinë e investimeve kapitale.

Raporti “Shpenzimet sipas kategorive”, i cili mbulon periudhën nga 1 janari deri më 31 korrik 2026, tregon se Komuna ka realizuar gjithsej 54.86 milionë euro shpenzime, nga rreth 75.43 milionë euro të planifikuara në dokument.

Por ajo që bie në sy është pesha e jashtëzakonshme e pagesave të evidentuara në disa kategori si vendime gjyqësore.

Vetëm në kategorinë e shpenzimeve kapitale, në kodin 34000 “Pagesat-vendimet gjyqësore”, raporti evidenton 15,719,345.16 euro. (DOKUMENT)

Kjo nuk është e vetmja shumë, pasi në kategorinë “Mallra dhe shërbime”, te zëri Vendimet e Gjykatave”, figurojnë edhe 2,985,275.72 euro.

Raporti evidenton gjithashtu 45,286.87 euro si “Pagesat-vendimet gjyqësore” te shpenzimet komunale, ndërsa në një kategori tjetër figurojnë edhe 359,583.55 euro për të njëjtin përshkrim.

Të mbledhura, këto katër pozicione arrijnë në rreth 19.11 milionë euro.

Pesha e kësaj shifre kuptohet edhe më mirë kur krahasohet me kapacitetin financiar vetanak të Komunës.

Sipas dokumenteve buxhetore të Prizrenit, për vitin 2026 janë planifikuar 11,365,867 euro të hyra vetanake, ose rreth 15 për qind e buxhetit të përgjithshëm komunal.

Kjo do të thotë se rreth 19.11 milionë euro të evidentuara për vendime gjyqësore në vetëm shtatë muaj janë rreth 7.74 milionë euro më shumë se të gjitha të hyrat vetanake që Prizreni planifikon t’i mbledhë gjatë tërë vitit.

Në përqindje, pagesat e evidentuara për vendime gjyqësore janë sa rreth 168 për qind e të hyrave vetanake vjetore të planifikuara

Pra, edhe sikur çdo euro e të hyrave vetanake të planifikuara për vitin 2026 të përdorej vetëm për këtë qëllim, ato nuk do të mjaftonin për ta mbuluar shumën e evidentuar deri në fund të korrikut.

Edhe më domethënës është raporti ndërmjet vendimeve gjyqësore dhe investimeve kapitale.

Dokumenti tregon se deri më 31 korrik Komuna ka realizuar 20,094,014.92 euro shpenzime kapitale. Prej tyre, 15.72 milionë euro figurojnë si pagesa për vendime gjyqësore. Matematikisht, kjo shumë është ekuivalente me rreth 78 për qind të të gjitha shpenzimeve kapitale të realizuara deri në fund të korrikut.

Për krahasim, raporti evidenton vetëm 1.67 milionë euro për ndërtimin e rrugëve, rreth 1.2 milion euro për objekte arsimore dhe rreth 783 mijë euro për ndërtesa administrative e afariste gjatë së njëjtës periudhë.

Vetë raporti që ka analizuar Kujdestari.info nuk jep shpjegim se cilat raste gjyqësore qëndrojnë prapa secilës prej këtyre pagesave.

Prandaj, nga ky dokument nuk mund të konstatohet se të gjitha 19.11 milionë euro burojnë nga Kontrata Kolektive.

Dokumenti dëshmon shumën dhe kategoritë e pagesave, por jo origjinën individuale të secilit detyrim.

Më 1 shtator, Asociacioni i Komunave të Kosovës do të protestojë në Prishtinë kundër mënyrës se si, sipas tij, niveli qendror po i trajton obligimet financiare dhe kompetencat komunale. Protesta është paralajmëruar për në orën 11:00.

Kryetari i AKK-së, Agim Aliu, ka thënë se pasojat që lidhen me kontratat kolektive dhe proceset gjyqësore e përmbarimore kanë sjellë një “lloj falimentimi funksional” të komunave. /Kujdestari.info/



Read it all at Gazeta e Prizrenit