I hapet profil i rremë në TikTok 16-vjeçares, fotot ia montojnë me AI me një mashkull, arrestohet 38-vjeçari në Janjevë të Kosovës

- Gazeta e Prizrenit

I hapet profil i rremë në TikTok 16-vjeçares, fotot ia montojnë me AI me një mashkull, arrestohet 38-vjeçari në Janjevë të Kosovës

Një rast shqetësues që përfshin keqpërdorimin e fotografive të një të miture në rrjete sociale dhe manipulimin e tyre përmes inteligjencës artificiale po hetohet nga Policia në Janjevë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është një 16-vjeçare, e cila të martën, më 1 shtator, është paraqitur në polici së bashku me prindin e saj.

E mitura ka deklaruar se kishte zbuluar një profil të rremë në TikTok, të hapur në emrin e saj dhe me fotografitë e saj.

Por rasti nuk përfundon vetëm me krijimin e profilit të rremë.

Sipas deklarimit të viktimës, fotografitë e saj dyshohet se janë manipuluar përmes inteligjencës artificiale, duke e paraqitur atë së bashku me një mashkull, dhe më pas janë përdorur në profilin e hapur pa autorizimin e saj.

Dyshimet e 16-vjeçares janë drejtuar te Imad Gradina, 38-vjeçar. Ajo ka deklaruar para Policisë se i njëjti person dyshohet se edhe më herët kishte hapur një profil të rremë në emrin e saj, i cili më pas ishte fshirë.

Pas raportimit, Policia ka ndërmarrë veprime dhe Gradina është arrestuar në qendër të Janjevës.


Gjatë veprimeve policore, në telefonin e të dyshuarit, sipas informacioneve të Sinjalit, janë gjetur dëshmi që lidhen me rastin. Natyra konkrete e këtyre dëshmive do të analizohet gjatë fazës hetimore.

38-vjeçari është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës, ndërsa për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar.

Me urdhër të Prokurorit, Imad Gradina është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Stacionin Policor.

Rasti është iniciuar si “Hyrje në sistemet kompjuterike”, ndërsa pritet të hetohen më tej rrethanat e krijimit dhe përdorimit të profilit të rremë, si dhe materialet e gjetura në telefonin e të dyshuarit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata



Read it all at Gazeta e Prizrenit