Një person i kërkuar prej një kohe të gjatë nga organet e rendit është arrestuar të martën në fshatin Velezhë të Prizrenit, mëson Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Nue Karicën, 41-vjeçar, i cili ishte në kërkim për ekzekutimin e dy vendimeve të plotfuqishme të Gjykatës Themelore në Prizren.
Karica ishte dënuar me gjithsej katër vjet burgim efektiv, por për një kohë të gjatë kishte qenë në arrati dhe nuk ishte vënë në dispozicion të organeve për vuajtjen e dënimit.
Pas veprimeve operative dhe hetimore, policët e Stacionit Policor Prizren-Veri kanë arritur ta lokalizojnë të martën, më 1 shtator, rreth orës 13:00, në Velezhë, ku edhe është arrestuar.
Sipas informacioneve të Sinjalit, dy vendimet e plotfuqishme ndaj tij lidhen me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Pas arrestimit, procedurat për ekzekutimin e urdhërarrestit janë kryer nga njësiti përkatës dhe Karica është dërguar drejtpërdrejt në vuajtje të dënimit.