Bankat dhe ofruesit e shërbimeve të pagesave do të duhet të informojnë klientët paraprakisht për kursin e këmbimit dhe tarifat e aplikuara
Sipas rregullave të reja, gjatë përdorimit të kartës në ATM ose POS, klienti duhet të informohet qartë dhe paraprakisht për tarifën e këmbimit valutor.
Kjo tarifë do të paraqitet edhe në formën e një “mark-up”, që tregon diferencën mes kursit të aplikuar dhe kursit më të fundit të publikuar nga Banka e Shqipërisë.
Informacioni për këtë diferencë duhet të jetë i dukshëm dhe i kuptueshëm në ATM ose në pikën e shitjes, ndërsa ofruesit e shërbimeve të pagesave duhet ta publikojnë atë edhe në mënyrë elektronike.
Përpara kryerjes së transaksionit, klienti duhet të informohet gjithashtu për shumën që do të paguhet në monedhën e përfituesit dhe shumën që do të debitohet nga llogaria e tij në monedhën përkatëse.
Ndryshimet prekin edhe transfertat e kreditit të kryera online.
Përpara inicimit të transfertës, ofruesi i shërbimit të pagesave duhet ta informojë klientin në mënyrë të plotë për tarifat e këmbimit valutor dhe shumën totale të transfertës, përfshirë kostot përkatëse.
Qëllimi është që përdoruesit të kenë informacion të qartë mbi koston reale të një transaksioni përpara se ta kryejnë atë.
Masat janë pjesë e përshtatjes së kuadrit të pagesave me zhvillimet në digjitalizim dhe me standardet e reja të transparencës në shërbimet financiare.