Zvicra rrit praninë ushtarake në Kosovë, synon 300 pjesëtarë të Swisscoy-t

- Gazeta e Prizrenit

Zvicra rrit praninë ushtarake në Kosovë, synon 300 pjesëtarë të Swisscoy-t

Derisa NATO ka paralajmëruar më herët gjatë këtij viti për reduktimin gradual të numrit të trupave në kuadër të misionit paqeruajtës KFOR në Kosovë, Zvicra pritet të ndjekë një tjetër drejtim.

Ambasadorja e Zvicrës në Serbi, Anne Elisabeth Lugon-Moulin, ka bërë të ditur se vendi i saj planifikon ta shtojë praninë ushtarake në Kosovë.

Në një intervistë për median serbe “CordMagazine”, ajo ka deklaruar se Këshilli Federal i Zvicrës i ka propozuar Parlamentit rritjen e kontingjentit të Swisscoy-t nga 215 në 300 pjesëtarë.

Sipas ambasadores, Parlamenti zviceran e ka miratuar këtë kërkesë në qershor, duke i hapur rrugë rritjes së pranisë së Zvicrës në Kosovë.


Lugon-Moulin ka theksuar se mandati aktual i Swisscoy-t përfundon më 31 dhjetor 2026, ndërsa Zvicra synon që misioni të vazhdojë dhe kontingjenti të zgjerohet.

Ajo ka vlerësuar se KFOR-i vazhdon të ketë rol të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.

Aktualisht, në kuadër të misionit Swisscoy në Kosovë shërbejnë 215 pjesëtarë të ushtrisë zvicerane.



Read it all at Gazeta e Prizrenit