Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK), në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), po vazhdon aksionin e inspektimeve te operatorët ekonomikë që merren me prodhimin dhe shitjen e bukës në Kosovë.
Inspektimet, të nisura më 25 gusht 2026, kanë për qëllim kontrollimin e peshës së bukës, si dhe verifikimin e afatit të vlefshmërisë së peshoreve që përdoren në furrat e bukës.
Aksionet e përbashkëta të AMK-së dhe IQMT-së fillimisht janë zhvilluar në rajonin e Prishtinës dhe Fushë-Kosovës, ndërsa inspektimet kanë vazhduar edhe më 1 dhe 3 shtator.
Interesimi i furrtarëve për verifikimin e peshoreve ka qenë i lartë. Vetëm gjatë ditëve të fundit, AMK ka pranuar 60 kërkesa nga operatorët ekonomikë për verifikimin e peshoreve.
Inspektimet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa aksioni do të shtrihet edhe në komuna të tjera të Kosovës.
AMK dhe IQMT u kanë bërë thirrje të gjithë furrtarëve që të kujdesen për verifikimin me kohë të peshoreve, të sigurojnë matje të sakta të produkteve dhe të respektojnë kërkesat ligjore.