Malisheva e Ballkani shënuan fitore

- Gazeta e Prizrenit

Malisheva e Ballkani shënuan fitore

Malisheva dhe Ballkani kanë shënuar fitore para tifozëve të vet në duelet ndaj Gjilanit, përkatësisht Feronikelit 74, në dy ndeshjet e fundit të xhiros së katërt të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll.

Malisheva e mposhti Gjilanin në stadiumin “Liman Gegaj”, me rezultat 3:1, në një ndeshje ku protagonist kryesor ishte sulmuesi nga Azerbajxhani, Vusal Isgandarli, i cili realizoi “hat-trick”.

Isgandarli shënoi golin e parë në minutën e 10-të, ndërsa dy golat e tjerë i realizoi në minutat 71-të dhe 75-të, duke kompletuar një paraqitje të shkëlqyer personale.

Golin e vetëm për Gjilanin e shënoi Oltion Bilalli në minutën e 19-të.

Me këtë fitore, Malisheva ngjitet në krye të tabelës me 10 pikë, ndërsa Prishtina është e dyta me nëntë pikë, por me një ndeshje më pak të zhvilluar. Gjilani renditet i gjashti me shtatë pikë.

Për Gjilanin kjo ishte humbja e parë e sezonit, pas dy fitoreve dhe një barazimi.

Fitore të rëndësishme në shtëpi ka regjistruar edhe Ballkani, që e mposhti Feronikelin 74, me rezultat 2:0.

Suharekasit e siguruan fitoren që në pjesën e parë. Abou Dosso shënoi për 1:0 në minutën e 14-të, ndërsa Albert Diene e dyfishoi epërsinë në minutën e 20-të.

Kjo ishte fitorja e tretë rresht për Ballkanin në kampionat dhe e çon skuadrën në vendin e tretë me nëntë pikë.

Feronikeli 74 mbetet pa pikë në vendin e parafundit, ndërsa pa pikë janë edhe Llapi dhe Vushtrria./rtk



Read it all at Gazeta e Prizrenit