Vendimin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm i Bosnjës, Elmedin Konakoviq, i cili tha se synon t’i ulë marrëdhëniet me Serbinë në nivelin më të ulët të mundshëm. Vendimi lidhet me mënyrën se si autoritetet serbe e trajtuan vdekjen dhe varrimin e Mlladiqit.
Konakoviq tha se nuk ka kompetencë për të tërhequr ambasadorin dhe konsullin, pasi për emërimin dhe shkarkimin e tyre vendos Presidenca e Bosnjës. Pjesa tjetër e stafit do të largohet, ndërsa punët konsullore pritet të mbulohen nga ambasadat e Bosnjës në Kroaci dhe Mal të Zi.
“Po të mundesha, që sot do t’i ndërprisja marrëdhëniet diplomatike me Serbinë. Ajo që mund të bëj është të punoj që marrëdhëniet t’i zvogëloj në minimumin e mundshëm”, tha Konakoviq.
Ai paralajmëroi edhe hapa të tjerë diplomatikë ndaj Serbisë dhe tha se Bosnja do t’u drejtohet partnerëve ndërkombëtarë për zhvillimet pas vdekjes së Mlladiqit.
Vendimi vjen pasi Mlladiqi u varros të hënën në Beograd me nderime ushtarake, në një ceremoni ku morën pjesë mijëra njerëz dhe zyrtarë serbë. Mlladiqi ishte dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, e ka akuzuar Konakoviqin për “hipokrizi” pas paralajmërimit për uljen e marrëdhënieve mes dy vendeve.