Kroacia asgjëson 14.7 tonë speca nga Shqipëria, u gjet pesticid mbi normat e lejuara

- Gazeta e Prizrenit

Kroacia asgjëson 14.7 tonë speca nga Shqipëria, u gjet pesticid mbi normat e lejuara

Autoritetet kroate kanë urdhëruar asgjësimin e një ngarkese prej 14.7 tonësh speca të kuq me origjinë nga Shqipëria, pasi analizat zbuluan praninë e pesticidit proquinazid në nivelin 0.050 mg/kg.

Sipas të dhënave të sistemit RASFF, prania e kësaj substance në speca ka çuar në bllokimin dhe asgjësimin e ngarkesës në Kroaci.

Proquinazidi është një fungicid që përdoret për luftimin e sëmundjeve kërpudhore. Sipas informacioneve të publikuara në Shqipëri, substanca tregtohet me emrin “Talendo” dhe është e autorizuar për përdorim në kultura të caktuara, ndërsa përdorimi i saj në perime ngre shqetësime për mbetjet pesticide, raporton TCH.


Rasti vjen vetëm pak ditë pasi autoritetet kroate zbuluan një tjetër ngarkesë me speca të kontaminuar me pesticide. Më 7 shtator, një sasi specash me origjinë nga Maqedonia e Veriut u bllokua pasi u gjet prani e acetamipridit.

Dy rastet brenda një periudhe të shkurtër kanë rikthyer shqetësimet për kontrollin e përdorimit të pesticideve dhe sigurinë e produkteve bujqësore që eksportohen drejt tregut evropian.



Read it all at Gazeta e Prizrenit