“Dorëzohet” LVV-ja: Pranon t’i votojë Çitakun dhe Shalën

- Gazeta e Prizrenit

“Dorëzohet” LVV-ja: Pranon t’i votojë Çitakun dhe Shalën
Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur sonte një mbledhje të jashtëzakonshme, ku ka diskutuar situatën politike dhe vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.

Në njoftimin e LVV-së thuhet se vendi ndodhet në një moment vendimtar për sigurimin e stabilitetit institucional pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe për shmangien e zgjedhjeve të reja, të cilat, sipas tyre, do të ishin të katërtat në më pak se dy vjet.

LVV ka bërë të ditur se nesër do t’i votojë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë të Kuvendit, Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën.

“Presim që pas konstituimit të Kuvendit ky hap i vullnetit të mirë të reflektojë në konstruktivitet të tyre duke votuar për president, qoftë ajo edhe votë kundër”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Nga kjo parti kanë theksuar se janë të gatshëm të votojnë për kandidatët e opozitës, me kushtin që ata të mos e bojkotojnë procesin e zgjedhjes së presidentit dhe të mos kontribuojnë në përsëritjen e zgjedhjeve.


LVV ka përmendur edhe procesin e vitit 2025, kur, sipas saj, për shkak të mungesës së votave dhe refuzimit të kandidatëve nga partitë opozitare, ishte detyruar të ndryshonte disa herë kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Në fund, Vetëvendosje ka shprehur pritjen që Kujtim Shala të marrë pjesë edhe në seancën ku pritet të votohet për Bekim Sejdiun si president, në kuadër të marrëveshjes LVV-LDK



Read it all at Gazeta e Prizrenit