U kap me mari*hua*në në Opterushë, 22-vjeçari i çon vet hetuesit te dro*ga tjetër

- Gazeta e Prizrenit

U kap me mari*hua*në në Opterushë, 22-vjeçari i çon vet hetuesit te dro*ga tjetër
Një ndalim policor në Opterushë të Rahovecit ka çuar në zbulimin e një sasie tjetër të dyshuar të narkotikëve, pasi një 22-vjeçar, pasi u kap me marihuanë, u ka treguar hetuesve se drogë kishte edhe në shtëpi.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur të shtunën, rreth orës 21:10, kur patrulla e Stacionit Policor në Rahovec ka ndaluar T. Krasniqin.

Gjatë kontrollit, tek i riu janë gjetur 11.04 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, një grinder dhe dy pako rizlla.

22-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ndërsa sendet e gjetura janë sekuestruar si prova materiale.

Por pikërisht aty rasti mori tjetër rrjedhë.

Në hetim janë përfshirë edhe hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Gjakovë. Gjatë komunikimit me ta, i dyshuari ka treguar se në shtëpinë e tij kishte edhe një sasi tjetër të narkotikëve dhe se ishte i gatshëm ta dorëzonte.

Hetuesit kanë shkuar më pas në shtëpinë e tij, ku kanë gjetur një qese të zezë, brenda së cilës kishte rreth 27 gramë substancë tjetër të dyshuar si marihuanë.

Aty janë gjetur edhe një numër i konsiderueshëm qesesh të vogla najloni të zbrazëta, të cilat janë sekuestruar si prova materiale.

Në total, Policia ka sekuestruar rreth 38 gramë substancë të dyshuar narkotike, bashkë me grinderin, rizllat dhe qeset e vogla.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i cili ka lëshuar aktvendim për ndalimin e 22-vjeçarit.

Rasti është iniciuar nën dyshimin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata



Read it all at Gazeta e Prizrenit