Aktakuzë ndaj katër personave dhe tri kompanive për tenderët e rrugëve në Suharekë

- Gazeta e Prizrenit

Aktakuzë ndaj katër personave dhe tri kompanive për tenderët e rrugëve në Suharekë

Prokuroria Themelore në Prizren, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave dhe tri kompanive për keqpërdorime të dyshuara në dy kontrata për ndërtimin e rrugëve në Komunën e Suharekës.

Aktakuza është ngritur ndaj E.Sh. dhe B.K., nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërkaq, A.S. dhe B.S., si dhe personat juridikë “K.H.” Sh.P.K., “I.” Sh.P.K. dhe “H.S.” Sh.P.K., akuzohen se secili veçmas ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Sipas aktakuzës, rasti lidhet me dy kontrata për ndërtimin e rrugëve në territorin e Komunës së Suharekës, të lidhura gjatë viteve 2021 dhe 2022.

Për kontratën e vitit 2022, E.Sh., në cilësinë e drejtorit për Shërbime Publike, Mjedis dhe Emergjenca në Komunën e Suharekës, njëherësh mbikëqyrës i drejtpërdrejtë i menaxherit të kontratës, dhe B.K., në cilësinë e zyrtarit për menaxhimin e projekteve dhe menaxherit të kontratës, dyshohet se kanë pranuar dhe certifikuar punë si të realizuara.

Nga verifikimet në terren, sipas Prokurorisë, ishte konstatuar se punimet nuk ishin kryer në përputhje me kontratën. Të akuzuarit dyshohet se nuk kishin vepruar sipas rregullave të prokurimit publik edhe gjatë ndryshimit të pozicioneve dhe lokacioneve të punimeve.

Prokuroria pretendon se këto veprime i kanë mundësuar operatorit ekonomik përfitim prej 8 mijë e 301 euro e 78 centë, duke i shkaktuar Komunës së Suharekës dëm në të njëjtën shumë.


Rasti i dytë lidhet me kontratën e vitit 2021. Edhe në këtë rast, E.Sh. dhe B.K. dyshohet se nuk i kanë përmbushur detyrat gjatë menaxhimit dhe mbikëqyrjes së kontratës.

Sipas aktakuzës, ata kanë pranuar punime si të përfunduara, ndonëse një pjesë e tyre nuk ishte realizuar sipas kontratës. Po ashtu, ndryshimet kontraktuale dyshohet se nuk ishin proceduar në pajtim me rregullat e prokurimit publik.

Nga këto veprime, operatori ekonomik dyshohet se ka përfituar 1 mijë e 661 euro e 20 centë, ndërsa Komunës së Suharekës pretendohet se i është shkaktuar dëm në të njëjtën vlerë.

Dëmi i përgjithshëm i pretenduar nga të dyja kontratat arrin në 9 mijë e 962 euro e 98 centë.

Të akuzuarit dhe personat juridikë konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.



Read it all at Gazeta e Prizrenit