Një hetim për vjedhjen e një dyqani në Prizren ka çuar Policinë te dy persona të dyshuar, ndërsa gjatë intervistimit rasti ka marrë përmasa edhe më të mëdha, pasi të njëjtit dyshohet se kanë pranuar përfshirjen edhe në dy vjedhje të tjera të ndodhura më herët.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti i fundit është raportuar në orët e para të 13 shtatorit, në rrugën “Masar Shala” në Prizren.
Pas veprimeve operativo-hetimore, Policia ka arritur të identifikojë si të dyshuar Ymri Mehajn, 26-vjeçar, dhe Mario Shahinin, 28-vjeçar.
Të dy janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar në praninë e avokatëve mbrojtës.
Por pikërisht gjatë intervistimit hetimi ka marrë tjetër rrjedhë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, dy të dyshuarit kanë pranuar se, duke vepruar së bashku, kishin kryer edhe dy vjedhje të tjera në dyqane, një më 30 gusht dhe tjetrën më 11 shtator.
Të dyja këto raste ishin raportuar më herët dhe po hetoheshin, ndërsa deklarimet e të dyshuarve tashmë i kanë lidhur ata edhe me këto ngjarje.
Pas përfundimit të intervistimit është njoftuar Prokurori kujdestar i Departamentit të Përgjithshëm, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyve për 48 orë.
Sinjali mëson se njëri prej të dyshuarve, Mario Shahini, është shtetas i Republikës së Shqipërisë dhe ka vendbanim të përkohshëm në Prizren.
Rasti po trajtohet si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar nëse dyshja mund të jetë e lidhur edhe me raste të tjera të ngjashme.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.