𝐃𝐫𝐞𝐣𝐭ë𝐬𝐢𝐚, 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐚, 𝐔Ç𝐊-𝐣𝐚 𝐝𝐡𝐞 𝐢𝐬𝐡-𝐔𝐬𝐡𝐭𝐫𝐢𝐚 𝐞 𝐫𝐫𝐞𝐠𝐮𝐥𝐥𝐭 𝐞 𝐒𝐞𝐫𝐛𝐢𝐬ë: 𝐜̧𝐟𝐚𝐫ë 𝐩𝐨 𝐦𝐛𝐞𝐭𝐞𝐭 𝐣𝐚𝐬𝐡𝐭ë 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬ë𝐬 𝐣𝐮𝐫𝐢𝐝𝐢𝐤𝐞?

- Gazeta e Prizrenit

𝐃𝐫𝐞𝐣𝐭ë𝐬𝐢𝐚, 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐚, 𝐔Ç𝐊-𝐣𝐚 𝐝𝐡𝐞 𝐢𝐬𝐡-𝐔𝐬𝐡𝐭𝐫𝐢𝐚 𝐞 𝐫𝐫𝐞𝐠𝐮𝐥𝐥𝐭 𝐞 𝐒𝐞𝐫𝐛𝐢𝐬ë: 𝐜̧𝐟𝐚𝐫ë 𝐩𝐨 𝐦𝐛𝐞𝐭𝐞𝐭 𝐣𝐚𝐬𝐡𝐭ë 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬ë𝐬 𝐣𝐮𝐫𝐢𝐝𝐢𝐤𝐞?

Shkruan: Qazim Morina / Prizren

Gjatë deklarimeve të djeshme në Hagë, gjyqtari Smith, ndër të tjera, iu referua kushteve në të cilat, sipas tij, ishin mbajtur personat e arrestuar, për të cilët pretendohej se dyshoheshin për përfshirje në vrasjen e shqiptarëve ose për bashkëpunim me Serbinë. Ai theksoi se ambientet ku ata ishin mbajtur nuk kishin qenë luksoze dhe se nuk kishin pasur as banjo.

Një përshkrim i tillë, i parë nga këndvështrimi i standardeve bashkëkohore të një sistemi të zhvilluar penitenciar, mund të jetë relevant për vlerësimin e kushteve të ndalimit. Megjithatë, në kontekstin historik të Kosovës së fundshekullit XX, kjo deklaratë tingëllon paradoksale. Për shqiptarët e Kosovës, veçanërisht për intelektualët, përvoja e ndalimit, keqtrajtimit, hetimeve dhe presionit sistematik nga aparati shtetëror serb nuk ishte një situatë e izoluar, por pjesë e një përvoje të përsëritur kolektive.

Në këtë kuptim, kujtesa historike e Kosovës nuk mund të shkëputet nga përvojat e shumta të burgosjes dhe keqtrajtimit të shqiptarëve, të cilat në shumë raste kanë marrë trajta që të kujtojnë atmosferën e absurditetit institucional si në “Procesin” e Kafkës.

Pikërisht për këtë arsye, dëshiroj tua rikujtoj juristëve, institucioneve të drejtësisë dhe, në veçanti, atyre që merren me dokumentimin dhe vlerësimin juridik të kri*meve të luftës në Kosovë, një fakt konkret, i cili ndonëse mund të duket i vogël përballë masa*krave të kryera gjatë luftës, është domethënës për të kuptuar përvojën e popullsisë civile shqiptare.

Bëhet fjalë për ngjarjet e dokumentuara në disa fshatra të Hasit gjatë datave 19 – 22 shtator 1998, të përshkruara edhe në librin tim “Ngjarjet e lavdisë” ( botuar më 2021 ).


Sipas dëshmive dhe materialit të përfshirë në këtë botim, në atë periudhë, forca të Ushtrisë së rregullt të Serbisë – Jugosllavisë, të mbështetura nga mjete dhe formacione ushtarake të dala nga garnizoni i Prizrenit, rrethuan disa fshatra të zonës kufitare, ndër ta Kushninin, Kabashin, Dedajn dhe Romajën, duke marrë peng banorët.

Banorët u urdhëruan të mblidheshin në qendrat e fshatrave. Përjashtim bëhej, sipas rrethanave të përshkruara, kryesisht për të moshuarit. Popullsia u grumbullua dhe u mbajt në ambiente të ngushta, përfshirë disa dhoma të banimit dhe hapësira shkollore. Gratë u ndanë nga burrat. Kjo gjendje zgjati më shumë se 24 orë. Shumë sosh u morën në pyetje lidhur me armët dhe UÇK-në.

Dëshmitë e përfshira në librin tim përshkruajnë edhe raste të keqtrajtimit fizik dhe psikologjik. Disa burra, sipas dëshmive, u rrahën rëndë, deri në alivanosje, ndërsa disa u mbajtën në ambiente të papërshtatshme, përfshirë hambarë drithi, dhe në kohë me shi.

Njëkohësisht, shtëpitë e lëna pa banorë u kontrolluan nga ushtarët. Ata ua morën paratë, stolitë e arit dhe sendet tjera me vlerë. Ndërkohë që banorët vazhdonin të ishin të mbyllur dhe nën kontroll, disa shtëpi u dogjën. Po ashtu u dogjën stoqe bari dhe rezerva ushqimore për bagëtinë. Flakët dhe tymi i krijuar përreth ambienteve ku mbaheshin civilët shtuan frikën dhe pasigurinë e tyre, pasi ata nuk kishin mundësi të dinin se çfarë po ndodhte jashtë.

Pas këtyre ngjarjeve, sipas dëshmive të dokumentuara, një numër banorësh kërkuan trajtim dhe ndihmë mjekësore për pasojat e keqtrajtimit fizik dhe psikologjik. Disa prej tyre, sipas dëshmive të paraqitura në botim, kanë mbetur me pasoja afatgjata shëndetësore.
Një skenar i ngjashëm, sipas materialit të dokumentuar, u përsërit rreth një muaj më vonë edhe në fshatin Lugishtë.

Këto janë vetëm disa prej episodeve të dokumentuara të veprimeve të forcave të rregullta ushtarake dhe strukturave të tyre komanduese ndaj popullsisë civile shqiptare.
Prandaj, çështja nuk lidhet vetëm me kushtet e një ambienti ndalimi, por me trajtimin e barabartë të kujtesës dhe vuajtjeve të të gjitha viktimave në Kosovë.

Pikërisht këtu qëndron pyetja që meriton një përgjigje institucionale: pse për këto ngjarje dhe për shumë episode të ngjashme të dokumentuara në Kosovë nuk është ngritur, deri më sot, një përgjegjësi juridike proporcionale me peshën e dëshmive të paraqitura?
Kjo nuk është thirrje për hakmarrje dhe as për një drejtësi selektive. Është kërkesë për dokumentim, hetim dhe trajtim të barabartë të fakteve.

Lexo edhe:

Pengmarrja e banorëve të Kushninit e Kabashit në Has nga Ushtria jugosllave, më 1998 

Torturat ndaj banorëve në Romajë të Hasit nga ushtria serbe, më 1998



Read it all at Gazeta e Prizrenit