Arrestohet në Morinë 34-vjeçari nga Kosova, kërkohej nga Gjermania

- Gazeta e Prizrenit

Arrestohet në Morinë 34-vjeçari nga Kosova, kërkohej nga Gjermania

Një 34-vjeçar nga Kosova është arrestuar në pikën kufitare të Morinës, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.

Sipas Policisë së Shqipërisë, arrestimi është kryer gjatë kontrolleve dhe verifikimeve në hyrje të Republikës së Shqipërisë, me qëllim ndalimin e personave të shpallur në kërkim.

I arrestuari me inicialet Y. A., banues në Ferizaj, rezultoi se ishte kërkuar ndërkombëtarisht pas një vendimi të Gjykatës së Wiesbadenit në Gjermani, e cila kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj tij.

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Wiesbaden, Gjermani, i ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Trafikimi i lëndëve narkotike’, parashikuar nga legjislacioni penal gjerman”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

Ndërkohë, Interpol Tirana në bashkëpunim me autoritetet gjermane po vijon procedurat për ekstradimin e 34-vjeçarit.



Read it all at Gazeta e Prizrenit