Munguan tre të akuzuarit, shtyhet seanca ndaj 23 policëve për ryshfet në Qafë-Morinë

- Gazeta e Prizrenit

Munguan tre të akuzuarit, shtyhet seanca ndaj 23 policëve për ryshfet në Qafë-Morinë

Seanca gjyqësore ndaj 23 zyrtarëve policorë, të akuzuar për veprat penale që lidhen me ryshfetin në pikën kufitare Qafë-Morinë, nuk është zhvilluar të premten.

Shkak për shtyrjen ishte mungesa e tre të akuzuarve, Fatmir Sadiku, Hamëz Puka dhe Isa Dobraj, shkruan IndeksOnline.

Në seancë, mbrojtësit e tyre paraqitën arsyet për mungesën. Për Sadikun dhe Pukën u tha se nuk kanë mundur të marrin pjesë për shkak të problemeve shëndetësore, ndërsa për Sadikun mbrojtja paralajmëroi edhe dorëzimin e dokumentacionit mjekësor.

Ndërkohë, sipas mbrojtjes, Isa Dobraj ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishte udhëtuar së bashku me bashkëshorten për shkak të gjendjes së saj shëndetësore. Gjykata u njoftua se dokumentacioni përkatës është dorëzuar dhe se Dobraj pritet të jetë i pranishëm në seancën e ardhshme.

Në këto rrethana, kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, njoftoi shtyrjen e seancës për muajin e ardhshëm.

Rasti ka të bëjë me pretendimet e Prokurorisë Speciale se gjatë periudhës gusht 2021–janar 2022, në pikën kufitare Qafë-Morinë, zyrtarë policorë dyshohet se kanë pranuar para nga qytetarë të Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas aktakuzës, përmes këtyre veprimeve qytetarëve u ishte mundësuar kalimi kufitar pa u verifikuar nëse i plotësonin kushtet e kërkuara për hyrje në Kosovë, në një periudhë kur ishin në fuqi edhe masat e vendosura për shkak të pandemisë COVID-19.

Aktakuza ndaj 23 zyrtarëve është ngritur më 26 dhjetor 2023. Të gjithë akuzohen për marrje ryshfeti, ndërsa gjashtë prej tyre ngarkohen edhe me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Në mesin e këtyre gjashtë të akuzuarve janë Agim Hadërgjonaj, Mergim Bekaj, Ismet Tahiraj, Ahmet Kasumaj, Isa Dobraj dhe Fatmir Sadiku.

Prokuroria ka përfshirë në dosjen e rastit edhe videoincizime dhe komunikime, të cilat i konsideron si prova për veprimet e pretenduara.

Të gjithë të akuzuarit gëzojnë të drejtën të konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të dëshmohet me një aktgjykim të formës së prerë.



Read it all at Gazeta e Prizrenit