Një kontest ndërkombëtar që lidhet me ish-Ndërmarrjen Bujqësore Industriale “NBI Suhareka” po i hap shtetit një tjetër faturë të konsiderueshme vetëm për ekspertizën profesionale, shkruan Kujdestari.info.
Agjencia Kosovare e Privatizimit ka përfunduar procedurën për angazhimin e dy ekspertëve që do ta mbështesin atë në një arbitrazh komercial ndërkombëtar: një ekspert të së drejtës angleze dhe një ekspert financiar për vlerësimin e dëmit, të njohur në arbitrazh si “Quantum Expert”.
Dokumentet e prokurimit të siguruara tregojnë se vlera e parashikuar fillestare për këtë angazhim ishte 400 mijë euro dhe se AKP ka përdorur procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.
Për ekspertin e së drejtës angleze, AKP ka zgjedhur Dr. Hayk Kupelyants. Oferta e tij fillestare ishte 113 mijë euro, ndërsa pas negociatave çmimi është ulur në 100 mijë euro. Për pjesën e dytë, atë të ekspertizës financiare për vlerësimin e dëmit, është zgjedhur PricewaterhouseCoopers Česká republika, oferta e së cilës nga 283 mijë euro është negociuar në 250 mijë euro. Kështu, të dyja angazhimet arrijnë në 350 mijë euro.
Sipas dokumenteve, kontratat janë dhënë më 29 shtator 2026, ndërsa nënshkrimi është planifikuar për 2 tetor. Për ekspertin ligjor dokumenti përcakton një periudhë prej 16 muajsh.
Dokumenti i AKP-së e përshkruan qëllimin në mënyrë të drejtpërdrejtë: ekspertët angazhohen në mbështetje të përfaqësimit të “NBI Suhareka (PRZ006)/AKP-së në arbitrazhin komercial ndërkombëtar”.
Por dokumenti nuk tregon se kush është pala që ndodhet përballë AKP-së në këtë arbitrazh, sa është vlera e pretenduar e kontestit dhe as nuk jep numrin e rastit të arbitrazhit.
Emri i përzgjedhur nga AKP për ekspertizën e së drejtës angleze nuk është i panjohur në botën e arbitrazhit ndërkombëtar.
Hayk Kupelyants është ligjërues në King’s College London, ku merret me konfliktin e ligjeve, të drejtën komerciale dhe arbitrazhin. Ai është i licencuar si solicitor në Angli dhe Uells dhe më parë ka punuar në zgjidhjen e kontesteve ndërkombëtare në Londër. King’s College e liston gjithashtu si anëtar të Gjykatës së Arbitrazhit të ICC-së dhe të Komisionit të ICC-së për Arbitrazh dhe ADR.
Për ekspertizën e dytë është përzgjedhur dega çeke e PricewaterhouseCoopers, ndërsa në dokumentin e AKP-së si person kontaktues figuron Katerina Skryjova. Skryjova paraqitet publikisht si drejtoreshë në PwC në Pragë dhe ka përvojë si eksperte në procedura arbitrazhi; emri i saj figuron, ndër të tjera, edhe në dokumentet e arbitrazhit A11Y v. Czech Republic.
Kjo është domethënëse edhe për natyrën e kontestit pasi një “Quantum Expert” zakonisht nuk angazhohet për të argumentuar vetëm çështjen juridike, por për të analizuar dhe përllogaritur financiarisht dëmin e pretenduar.
NBI Suhareka ka një histori të gjatë privatizimi dhe kontestesh.
Sipas vetë AKP-së, ndërmarrja u privatizua më 27 gusht 2007, përmes metodës së Spin-Off-it Special. Blerës ishin kompania italiane Gruppo Vinicolo Fantinel dhe kompania QMI, ndërsa çmimi i privatizimit ishte 4 milionë e 175 mijë e 999 euro.
Marrëveshja përfshinte edhe zotime të konsiderueshme pas privatizimit. Blerësit ishin zotuar për së paku 8.6 milionë euro investime kapitale dhe për një numër të përcaktuar të punëtorëve.
Raporti vjetor i AKP-së për vitin 2013 thotë se auditimi i jashtëm kishte konstatuar realizim prej 88.87 për qind të zotimit për investime, ndërsa zotimi për punësim ishte realizuar vetëm 39 për qind.
Kontesti vazhdoi për vite.
Më 31 janar 2022, Bordi i AKP-së mori një prej vendimeve më drastike: tërhoqi aksionet e Agrokosova Holding dhe e vendosi ndërmarrjen nën administrim të drejtpërdrejtë të AKP-së.
Në vendimin zyrtar, AKP e arsyetoi veprimin me mospërmbushjen e kushteve të Marrëveshjes së Zotimeve. Agjencia vendosi gjithashtu të kërkojë nga QMI dhe Gruppo Vinicolo Fantinel kthimin e mjeteve që ishin paguar nga Qeveria për shpronësimin e disa pronave të ndërmarrjes për nevoja të autostradës.
Pala tjetër e kishte kundërshtuar versionin e AKP-së. Haziz Tafaj, i prezantuar atëherë si drejtor i AgroKosova Holding, e kishte cilësuar veprimin e AKP-së si të padrejtë dhe kishte pretenduar investime shumë më të mëdha në ndërmarrje. Radio Evropa e Lirë e citonte Tafajn në shkurt 2022 duke thënë se kishte investuar rreth 30 milionë euro.
Këtu historia bëhet edhe më interesante.
Në vitin 2025 u bë publik një tjetër rast ndërkombëtar: Prorena and Suhareka Verari SH.P.K. v. Privatisation Agency of Kosovo and Republic of Kosovo, i regjistruar në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të ICC-së me numrin 29291/HBH.
Jus Mundi e klasifikon atë si arbitrazh komercial ndërkombëtar, në sektorin e bujqësisë, të iniciuar në vitin 2025. Sipas të dhënave publike të fundit të platformës, çështja figuronte si e pazgjidhur.
Të dhënat që Ministria e Drejtësisë i kishte dhënë KOHËS në vitin 2025 tregonin edhe peshën financiare të kontestit: Suhareka Verari dhe Prorena pretendonin rreth 35 milionë euro, në një çështje që lidhej me privatizimin.
Të dhënat aktuale të regjistrit të bizneseve tregojnë se Suhareka Verari SH.P.K. është 100 për qind në pronësi të “Prorena” S.r.l., ndërsa si përfaqësues i regjistruar figuron Sedat Bërveniku. Një burim tjetër biznesor e liston Francesca Ghislanzoni si drejtoreshë të përgjithshme të Suhareka Verari.
Për këtë rast, shteti kishte angazhuar më herët edhe firmën austriake Zeiler Rechtsanwälte GmbH, në kuadër të një kontrate prej rreth 1.5 milion eurosh që mbulonte dy raste arbitrazhi.
Megjithatë, nga dokumentet e reja të AKP-së nuk mund të konfirmohet se arbitrazhi për të cilin po paguhen Kupelyants dhe PwC është pikërisht rasti Suhareka Verari–Prorena. Dokumentet e tenderit përdorin vetëm referencën “NBI Suhareka (PRZ006)” dhe nuk e japin numrin e arbitrazhit apo emrin e paditësit. /Kujdestari.info/