Policia Rajonale e Prizrenit ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në shpërthimin e 16 qershorit 2026, në afërsi të shtëpisë së avokatit Betim Kadolli në Prizren.
Zëdhënësi rajonal i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi, konfirmoi për Gazetën e Prizrenit se, pas një pune intensive hetimore, Sektori Rajonal i Hetimeve ka identifikuar personat e dyshuar për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, nga e cila ishin shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas Policisë, më 2 tetor 2026, me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prizren, janë realizuar bastisje në tri lokacione në rajonin e Kamenicës. Gjatë bastisjeve janë identifikuar dhe shoqëruar në polici tre të dyshuar, dy meshkuj dhe një femër.
Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare. Me urdhër të prokurorit kujdestar, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, përcjell Gazeta e Prizrenit
Ndërkohë, një person i katërt i dyshuar është identifikuar dhe aktualisht ndodhet në kërkim.
Rasti mbetet nën hetim me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të shpërthimit./Gazeta e Prizrenit /