6 vjet burgim për spiunazh, ish-togeri i Policisë, Bojan Jevtiq, del para Apelit, i penduar kërkon uljen e dënimit

- Gazeta e Prizrenit

6 vjet burgim për spiunazh, ish-togeri i Policisë, Bojan Jevtiq, del para Apelit, i penduar kërkon uljen e dënimit

Ish-togeri i Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq , i dënuar me 6 vjet burgim efektiv dhe 2 mijë euro gjobë për spiunazh, ka dalë sot para Gjykatës së Apelit, raporton Gazeta Sinjali.

Në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit është mbajtur seanca në çështjen PS.nr.19/2026, ku objekt shqyrtimi ishte ankesa e mbrojtjes së Jevtiqit kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Mbrojtja ka ushtruar ankesë për shkak të lartësisë së dënimit, duke kundërshtuar kështu sanksionin penal të shqiptuar nga shkalla e parë.

Jevtiq ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 6 vjet burgim efektiv dhe 2 mijë euro gjobë, pasi kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Sipas rastit të paraqitur para gjykatës, Jevtiq, në cilësinë e zyrtarit të Policisë së Kosovës me gradën toger në Dheun e Bardhë të Kamenicës, akuzohej se për një periudhë kohore, me dashje, kishte mbledhur informacione dhe transferuar dokumente zyrtare, të cilat lidheshin me sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Në kuadër të rastit është bërë e ditur se ishin zhvilluar edhe takime në Beograd.

Në seancën e sotme para Apelit, prokurorja ka kërkuar që ankesa e mbrojtjes të refuzohet si e pabazuar.

Ajo ka propozuar që Gjykata e Apelit ta vërtetojë aktgjykimin e shkallës së parë, me të cilin ish-togeri policor është dënuar me gjashtë vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Për rastin po vendos kolegji i Departamentit Special të Gjykatës së Apelit, me Vaton Durgutin kryetar të trupit gjykues, ndërsa anëtarë të kolegjit janë gjyqtarët Faton Ademi dhe Albina Shabani Rama.

Pas shqyrtimit të pretendimeve të palëve, i mbetet Gjykatës së Apelit të vendosë lidhur me ankesën e mbrojtjes dhe aktgjykimin e shkallës së parë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.



Read it all at Gazeta e Prizrenit