Aktorja e njohur, Monika Lubonja, ka thyer heshtjen lidhur me ngjarjen në të cilën emri i saj është përfshirë në rastin e materialeve intime të kompozitorit Adrian Hila.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Lubonja ka bërë të ditur se i është drejtuar organeve të drejtësisë për të mbrojtur dinjitetin dhe privatësinë e saj.
Ajo ka thënë se ndihet e tradhtuar nga një person të cilit i kishte dhënë besimin dhe disa vite të jetës së saj. Sipas saj, nuk ka pasur dijeni dhe as nuk ka dhënë pëlqimin për t’u regjistruar, e aq më pak që materialet intime të shpërndaheshin apo publikoheshin.
“Kam dashur dikë dhe kam besuar. Nuk turpërohem për dashurinë që kam dhënë”, shkruan ajo, duke shprehur dhimbjen për keqpërdorimin e besimit të saj.
Lubonja u ka bërë thirrje mediave që të respektojnë privatësinë e saj dhe të shmangin spekulimet apo publikimin e materialeve intime. Ajo gjithashtu i ka kërkuar opinionit publik që të mos e kthejë dhimbjen e saj në argëtim dhe të mos e gjykojë për besimin që i ka dhënë një personi të cilin e cilëson si të pabesë.
Bashkëngjitur reagimit të saj, aktorja ka publikuar edhe padinë e depozituar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Në dokumentin ligjor, Lubonja figuron si e dëmtuar akuzuese ndaj shtetasit Adrian Hila, ndërsa përmenden akuzat për veprat penale “Fyerja”, sipas nenit 119 të Kodit Penal, dhe “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, sipas nenit 121 të Kodit Penal.
Lubonja e ka përmbyllur reagimin e saj me qëndrimin se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore deri në fund, me bindjen se e vërteta do të dalë në pah.
“Dinjitetin tim dhe pabesinë nuk ia fal askujt që përdori jetën time! Do ta ndjek ligjërisht dhe jam e sigurt që e vërteta do të flasë”, ka përfunduar aktorja.