Policia ka sekuestruar një pushkë automatike, dy pistoleta, 92 fishekë dhe katër karikatorë gjatë kontrollit në një shtëpi në Rahovec.
Sipas njoftimit të Policisë, pas informatave inteligjente për dyshime mbi posedimin e paautorizuar të armëve, zyrtarët e Stacionit Policor në Rahovec kanë lokalizuar të dyshuarin dhe vendbanimin e tij.
Me pëlqimin e të dyshuarit dhe me udhëzimin e prokurorit, policia ka kryer kontroll në shtëpi, ku janë gjetur dhe sekuestruar armët dhe municioni.
“Personi i dyshuar është shoqëruar në Stacionin Policor në Rahovec për intervistim dhe në koordinim me prokurorin të Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe pas përfundimit të procedurave i njëjti është liruar”, thotë PK.