Nuk mjaftoi kontrata 3.8 milionëshe – Rahoveci jep edhe 318 mijë euro me negocim për Sheshin

- Gazeta e Prizrenit

Nuk mjaftoi kontrata 3.8 milionëshe – Rahoveci jep edhe 318 mijë euro me negocim për Sheshin

Punimet për ndërtimin e Sheshit Qendror të Rahovecit nisën në fillim të vitit 2023, shkruan Kujdestari.

Kontrata bazë për realizimin e projektit kishte vlerën 3 milionë e 817 mijë e 347 euro e 79 centë dhe ishte nënshkruar me konzorciumin “FAMIS CO-HC” SH.A; N.P.T. “Bamirs”

Tani, projekti po shoqërohet edhe me punime të tjera për fazën përfundimtare.

Komuna e Rahovecit ka zhvilluar procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës për aktivitetin me titull “Ndërtimi i Sheshit Qendror të Qytetit – ritenderim – rregullimi estetik – faza përfundimtare”.

Vlera e parashikuar për këtë aktivitet është 320 mijë e 848 euro e 50 centë, ndërsa sipas dokumentacionit të analizuar, vlera e punëve të kontraktuara shtesë është 318 mijë e 180 euro e 80 centë.

Kjo shumë përbën rreth 8.34 për qind të vlerës së kontratës bazë.

Por çfarë përmbajnë këto punime?

Krahasimi i paramasës së kontratës fillestare me paramasën e fazës përfundimtare tregon se, krahas pozicioneve që nuk figurojnë në paramasën e parë, ka edhe pozicione që kanë përshkrime të njëjta ose të ngjashme me punë të parashikuara që në kontratën bazë.

Një nga rastet më të qarta lidhet me gjelbërimin.

Në paramasën bazë ishte paraparë furnizimi dhe mbjellja e 50 drurëve të llojit Acer platanoides “Globosum”, me lartësi 200 centimetra dhe perimetër të trungut 18 deri në 22 centimetra.

Në paramasën e punimeve të reja paraqiten përsëri 50 drurë Acer platanoides “Globosum”, me specifikime praktikisht të njëjta.

Ngjashmëri shfaqen edhe te pajisjet e këndit të lojërave.

Në paramasën e re janë paraparë luhaje dhe rrëshqitëse për fëmijë, ndërkohë që pajisje me përshkrime të njëjta ose shumë të përafërta figurojnë edhe në paramasën e kontratës bazë.

Paramasa e re parasheh gypa HDPE, sprinklerë, elektroventila, kontrollues të sistemit, sensorë dhe pajisje të tjera.

Por edhe kontrata bazë kishte paraparë sistem për vaditje. Në të figurojnë sprinklerë automatikë, ndërsa përshkrimi kërkon që në çmim të përfshihen edhe automatika dhe sondat për aktivizimin e sistemit.

Paramasa e fazës përfundimtare parasheh 1 mijë e 160 metra katrorë suvatim të mureve të bodrumit.

Në paramasën bazë të parkingut ekzistojnë ndërkaq pozicione me nga 3 mijë e 671.8 metra katrorë për përpunimin dhe suvatimin e mureve të betonit dhe plafoneve.

Përshkrimet nuk janë plotësisht identike, prandaj vetëm nga paramasat nuk mund të konkludohet se bëhet fjalë për të njëjtën punë.

Në paramasën e re ka edhe punë që nuk identifikohen qartë në paramasën bazë.

Mes tyre janë mbulesat e daljeve të parkingut me konstruksion çeliku dhe qelq, ndërtimi i kioskave, pjesë të sistemit të ventilimit mekanik të parkingut, mbushësi për automjete elektrike, pajisje për parking dhe elemente të tjera të rregullimit përfundimtar.

Me 10 Mars 2023, gjatë ceremonisë së vënjës se gur themelit të sheshit, Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi kishte thënë se po e përmbushnin një zotim publik dhe sipas tij punimet pritet të përfundojë në gjysmën e dytë të vitit 2025.

“Vlera e kontratës është 3 milion e 817 mijë euro, parkingu me sipërfaqe 4850 metra katror, numri i vend-parkingjeve vetëm këtu është 206, ne kemi filluar tash me parkingun nëntokësor shpresojmë që do të kemi shumë shpejtë ndryshime në këtë pjesë të sheshit, në këtë shesh i cili ka një sipërfaqe të madhe do të kenë mundësi me u përshtatë ose me u akomodu për ngjarje të mëdha edhe kulturore edhe artistike, pro edhe ngjarje që janë në përputhje me profilin e komunës sonë por që janë në synimet e aspiratat e komunës sonë. Aty do të jetë tregu ditor për nevojat e prodhueseve tanë por edhe për nevojat e blerësve do të jetë një treg moderni i mbyllur, si dhe do të ketë një zhvendosje të rrugës Bajram Veliu dhe do të ketë një koordinim, një lidhje shumë të mirë edhe për qarkullimin jo vetëm të këmbësorëve por edhe të automjeteve”, kishte thënë Latifi.

Këtë projekt, Latifie e kishte cilësuar si më të madhe në historinë e urbanizimit në këtë komunë.

“Edhe ata që kanë qenë skeptik besoj që po përmbushim një detyrim, një zotim publik që sheshi qendror do të ndërtohet brenda këtij mandati qeverisës. Ne synojmë që diku në vitin 2025 në gjysmën e dytë të vitit 2025 ti japim fund të gjitha punëve që kanë të bëjnë me ndërtimi n dhe funksionalitetin e sheshit qendror të qytetit Rahovecit…Është projekti më i madh në historinë e urbanizimit në komunën tonë. Unë besoj që edhe qeveria e Kosovës e ka parë që kanë filluar tashëm punimet në këtë shesh dhe mund të jap kontributin e vet edhe në radhë të parë financiar, në përkrahje të këtij sheshi por edhe kontribute të tjera të cilat ne do ti mirëpresim nëse vinë nga qeveria e Kosovës”, kishte thënë ai. /Kujdestari.info/



Read it all at Gazeta e Prizrenit