Presidenti amerikan, Donald Trump, ka akuzuar rebelët Houthi të Jemenit se po përpiqen që qëllimisht të rrisin çmimet e naftës para zgjedhjeve të mesit të mandatit në Shtetet e Bashkuara. Ai gjithashtu ka paralajmëruar se nuk do t’i harrojë sulmet e tyre ndaj Arabisë Saudite.
“Houthit po sillen shumë keq”, shkroi Trumpi të martën në rrjetin social “Truth Social”, duke e akuzuar grupin për rifillimin e sulmeve në emër të Iranit, pas një periudhe qetësie relative që pasoi sulmet amerikane në Jemen vitin e kaluar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Presidenti amerikan bëri të qartë se paralajmërimi i tij nuk kufizohet vetëm në periudhën para zgjedhjeve të 3 nëntorit.
“Do të jem atje pas zgjedhjeve dhe nuk do të harroj kurrë!”, deklaroi Trumpi.
Reagimi i tij vjen pas një vargu sulmesh të rebelëve Houthi ndaj Arabisë Saudite, përfshirë edhe sulmet në Aeroportin Ndërkombëtar “Mbreti Khalid” në Riad. Sipas raportimit, nga këto sulme u vranë të paktën 13 persona, ndërsa më shumë se 300 të tjerë u plagosën.
Më herët të martën, Trumpi u tha gazetarëve se mund t’i kërkojë presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, të ndërhyjë në mbështetje të interesave saudite.
“Mendoj se presidenti Erdogan do të vepronte ashtu si kërkoj unë”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.