Prizren: U ther me thikë, e u hodh nga vetura në lëvizje – sot para gjykatës rasti i vdekjes së Auron Thaqit

- Gazeta e Prizrenit

Prizren: U ther me thikë, e u hodh nga vetura në lëvizje – sot para gjykatës rasti i vdekjes së Auron Thaqit

Në Gjykatën Themelore në Prizren, sot (e premte), duke filluar nga ora 10:00, pritet të mbahet seanca e radhës gjyqësore lidhur me vdekjen tragjike të 26-vjeçarit Auron Thaqi, i cili humbi jetën pas një sulmi me thikë në shtator të vitit 2024.

Rasti, i cili kishte tronditur opinionin publik, rikthehet në sallën e gjyqit, ndërsa familjarët e të ndjerit vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes së tij.

Sipas dosjes së rastit, Auron Thaqi ishte plagosur rëndë me thikë në Prizren. Pas sulmit, dyshohet se ai ishte hedhur nga një veturë në lëvizje.

Për shkak të plagëve të rënda, 26-vjeçari ishte dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por pavarësisht përpjekjeve për t’i shpëtuar jetën, ai nuk kishte arritur të mbijetonte.

Për këtë rast po zhvillohet procedurë gjyqësore ndaj Enes Ay dhe Hajrullah Brcanit, të cilët, sipas informacioneve të raportuara, ndodhen në paraburgim.

Enes Ay përballet me dyshimet për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor me pasojë vdekjen”, ndërsa Hajrullah Brcani për veprat penale “Mosdhënie e ndihmës” dhe “Moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre”.

Seanca e sotme pritet të jetë një tjetër hap në procesin gjyqësor për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Familja e Auron Thaqit vazhdon të kërkojë që përgjegjësit për vdekjen e tij të përballen me drejtësinë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.


Read it all at Gazeta e Prizrenit