Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Durim Elshani, ka reaguar pas raportimeve për vdekjen e një pacienteje me kancer, duke i cilësuar disa prej tyre si të pasakta.
Përmes një postimi, Elshani ka paraqitur kronologjinë e trajtimit mjekësor të pacientes, duke theksuar se dosja e saj është e dokumentuar dhe në dispozicion të organeve kompetente për verifikim.
Raporti klinik dhe ekzaminimet diagnostike dëshmojnë këtë kronologji të saktë të trajtimit:
• Para gjashtë vjetësh: Pacientja fillimisht ishte diagnostikuar me kancer të gjirit të tipit Triple Negative, për të cilin kishte përfunduar me sukses trajtimet e rregullta me kimioterapi dhe radioterapi.
• Dhjetor 2025: Pas rikthimit të sëmundjes (për herë të dytë) me metastaza në kocka dhe në omentum, rasti i saj u rishqyrtua nga Konsiliumi i Klinikës së Onkologjisë. Pasi analizat e reja rezultuan hormon-pozitive metastatike, mjekët përcaktuan linjën e re të trajtimit me medikamentet Palbociclib dhe Fulvestrant (Faslodex).
• 13 Maj 2026: Sipas dokumentacionit të rregullt, pacientja është furnizuar me medikamentin Palbociclib në sasi të mjaftueshme për trajtim të plotë deri më 13 qershor 2026. Përgjatë kësaj periudhe, ekzaminimet mjekësore evidentuan përparim të mëtutjeshëm të sëmundjes agresive në kocka.
• Qershor dhe Korrik 2026: Për shkak të evidentimit të përparimit të sëmundjes në kocka, Konsiliumi mjekësor ka vazhduar pa asnjë shkëputje trajtimin e kombinuar me Palbociclib dhe Fulvestrant. Kjo terapi e pandërprerë u administrua në cikle të rregullta mujore me qëllim të kontrollit të mëtutjeshëm të progresit të sëmundjes dhe mbrojtjes së strukturës kockore.
• Gusht 2026: Pacientja ka vijuar trajtimin ku i është administruar sërish Palbociclib në kombinim me Fulvestrant. Përgjatë kësaj kohe, përderisa pacientja ishte nën terapi të rregullt, janë realizuar ekzaminime shtesë diagnostike, të cilat kanë vërtetuar se përkundër tretmanit me terapinë në fjalë, sëmundja kishte avancuar me shfaqjen e metastazave të reja në tru dhe në boshtin kurrizor. Kjo e dhënë e patjetërsueshme shkencore e hedh poshtë aludimet se sëmundja ka progresuar si pasojë e mosmarrjes së terapisë.
• Faza e fundit: Pasi u vërtetua se natyra tejet agresive e tumorit kishte zhvilluar rezistencë biologjike ndaj terapisë së parë, Konsiliumi mjekësor vendosi ndryshimin urgjent të linjës terapeutike duke filluar me Capecitabine dhe radioterapi paliative në tru, me qëllim kontrollin e tumorit dhe lehtësimin e simptomave. Fatkeqësisht, organizmi i pacientes nuk e toleroi dot trajtimin në këtë stad dhe ajo ndërroi jetë.
Të gjitha këto etapa dhe vendime klinike janë të dokumentuara dhe të vërtetuara në raportet mjekësore zyrtare, gjë që i hedhin poshtë tërësisht pretendimet e pabazuara se pacientja ka vdekur për shkak të mosmarrjes së terapisë”, ka shkruar Elshani.
Ai u ka bërë thirrje mediave që të respektojnë dhimbjen e familjes dhe të mos ndërlidhin shkakun e vdekjes me mungesën e terapisë pa u mbështetur në dokumentacion.
Lexo edhe:
Mamografi falas në Spitalin e Prizrenit për familjarët e dëshmorëve dhe kategoritë e luftës