Në natën mes 24 dhe 25 tetorit, qytetarët do të kalojnë në orën dimërore, kur akrepat e orës do të kthehen 60 minuta prapa, nga ora 03:00 në 02:00.
Ky ndryshim u mundëson qytetarëve të flenë një orë më shumë, ndërsa mëngjeset do të bëhen më të ndritshme dhe errësira do të bjerë më herët gjatë pasdites.
Megjithatë, ndryshimi sezonal i orës mund të ndikojë në orën biologjike të trupit dhe në ritmin e gjumit. Disa ekspertë mbështesin mbajtjen e përhershme të orës standarde, duke argumentuar se ajo përputhet më mirë me ritmin natyror të organizmit.
Ndërkohë, në Bashkimin Evropian vazhdon të mbetet e bllokuar përpjekja për t’i dhënë fund ndërrimit sezonal të orës.
Edhe pse Parlamenti Evropian e mbështeti në vitin 2019 propozimin për ndërprerjen e kësaj praktike, shtetet anëtare ende nuk kanë arritur marrëveshje nëse duhet të mbahet përgjithmonë ora verore apo ajo dimërore.