Kurti me dy propozime pas vrasjes së Arlinda Zekajt: Rishikim urgjent i rasteve me rrezik të lartë dhe raport brenda 72 orëve

- Gazeta e Prizrenit

Kurti me dy propozime pas vrasjes së Arlinda Zekajt: Rishikim urgjent i rasteve me rrezik të lartë dhe raport brenda 72 orëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar masa konkrete institucionale për parandalimin e dhunës ndaj grave, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Duke folur në seancën e Kuvendit, Kurti theksoi se zhgënjimi, xhelozia dhe ndjenja e refuzimit nuk mund të justifikojnë dhunën, duke nënvizuar se askush nuk ka të drejtë ta detyrojë një person të qëndrojë në një marrëdhënie kundër vullnetit të tij.

“As zhgënjimi, as xhelozia dhe as ndjenja e refuzimit nuk e bëjnë legjitime përpjekjen për ta detyruar dikë të qëndrojë. Askush nuk mund ta kërkojë vazhdimin e një marrëdhënieje, duke ia mohuar tjetrit të drejtën për të dalë prej saj”, u shpreh Kurti.

Ai prezantoi dy propozime konkrete, me synimin për të rritur përgjegjësinë institucionale dhe për të përmirësuar mbrojtjen e personave që ndodhen në rrezik.

Kurti kërkoi që Ministria e Punëve të Brendshme, përmes strukturave kompetente të Policisë, të organizojë brenda 72 orëve rishikimin urgjent të rasteve aktive me rrezik të lartë.

Sipas tij, për secilin rast duhet të dokumentohen masat e sigurisë, zyrtari përgjegjës për përcjelljen e tyre dhe bashkërendimi me institucionet përkatëse qendrore dhe lokale. Kjo duhet të përfshijë edhe zbatimin policor të urdhrave mbrojtës dhe reagimin ndaj alarmeve të mbikëqyrjes elektronike.

Ndërkaq, propozimi i dytë parasheh që Ministria e Drejtësisë, po ashtu brenda 72 orëve, të paraqesë një raport të detajuar për reagimin ose mosreagimin e secilës hallkë të zinxhirit institucional në rastin e Arlinda Zekajt.

Përmes këtyre propozimeve, Kurti kërkoi që të shqyrtohet mënyra se si kanë vepruar institucionet dhe të identifikohen përgjegjësitë lidhur me rastin që tronditi vendin./GS



Read it all at Gazeta e Prizrenit