Prizren: Rasti i vrasjes në lagjen Arbana –  dënim me 30 vjet burg dorasit

- Gazeta e Prizrenit

Prizren: Rasti i vrasjes në lagjen Arbana –  dënim me 30 vjet burg dorasit

Gjykata Themelore në Prizren e ka dënuar me 30 vjet burgim A.G., i shpallur fajtor për vrasjen e rëndë të B.M., ngjarje kjo që kishte ndodhur më 3 shtator 2023, në lagjen Arbanë të Prizrenit. Sipas gjykatës, gjatë incidentit ishte rrezikuar edhe jeta e katër personave të tjerë.

Gjykata Themelore në Prizren e ka dënuar me 30 vjet burgim A.G., i shpallur fajtor për vrasjen e rëndë të B.M., ngjarje kjo që kishte ndodhur më 3 shtator 2023, në lagjen Arbanë të Prizrenit. Sipas gjykatës, gjatë incidentit ishte rrezikuar edhe jeta e katër personave të tjerë.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ngjarja kishte ndodhur rreth orës 18:45, në rrugën “Çerçiz Topulli”.

Në aktgjykim thuhet se, pas një zënke që kishte ndodhur disa minuta më herët mes të akuzuarit dhe viktimës, A.G. ishte larguar me automjet drejt shtëpisë së tij, ku kishte marrë një armë të gjatë të tipit AK-47. Më pas, ai ishte kthyer në vendin ku ndodhej B.M., i cili po ecte në shoqëri të bashkëshortes, vajzës dhe dy personave të tjerë.

Sipas përshkrimit të gjykatës, i akuzuari kishte dalë përballë tyre me automjet, kishte zbritur dhe kishte shtënë me armë automatike në drejtim të B.M., duke e goditur në pjesën e përparme të trupit. Pasi viktima ishte rrëzuar në tokë, A.G. i ishte afruar dhe kishte shtënë përsëri në drejtim të kokës së tij.

Si pasojë e plagëve të marra, B.M. kishte vdekur në vendin e ngjarjes. Ndërkohë, bashkëshortja dhe vajza e viktimës kishin qëndruar pranë tij, ndërsa dy personat e tjerë kishin arritur të fshiheshin nga i akuzuari, i cili më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Gjykata ka konstatuar se, me këto veprime, A.G. kishte rrezikuar me dashje edhe jetën e katër personave të tjerë. Për këtë arsye, ai është shpallur fajtor për veprën penale “Vrasja e rëndë”, sipas nenit 173, paragrafi 1, pika 1.5, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Trupi gjykues, i kryesuar nga Sadije Selmani, me anëtarët Ajser Skenderi dhe Artan Sejrani, i ka shqiptuar të akuzuarit dënim me burgim në kohëzgjatje prej 30 vjetësh. Gjithashtu, gjykata ka vendosur vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj tij deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Pas shpalljes së vendimit, palët janë njoftuar se aktgjykimin e plotë, në formë të shkruar dhe të arsyetuar, do ta pranojnë brenda afatit ligjor.

Gjykata ka bërë të ditur se, lidhur me të njëjtën ngjarje, më 16 maj 2024, A.G. ishte shpallur fajtor edhe për dy vepra të tjera penale: mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe asgjësimin apo dëmtimin e pasurisë. Për këto vepra, atij i ishte shqiptuar dënim me burgim prej një viti dhe gjobë prej 500 eurosh.



Read it all at Gazeta e Prizrenit