Rahovec – 16-vjeçari plagoset me ar*më zjarri në kraharor, dorasi arratiset

- Gazeta e Prizrenit

Rahovec – 16-vjeçari plagoset me ar*më zjarri në kraharor, dorasi arratiset

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pas mesnatës në Rahovec, ku një i mitur është plagosur me armë zjarri nga një person ende i paidentifikuar. Rasti është cilësuar si “Vrasje në tentativë”, ndërsa Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se incidenti ka ndodhur më 29 tetor, rreth orës 00:35, në rrugën “Vëllezërit Shabandula” në Rahovec.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, viktima N.Z., 16 vjeçar, është qëlluar me armë zjarri nga një person i panjohur, duke pësuar një plagë në anën e djathtë të kraharorit.

Rasti është zbuluar pasi, rreth orës 00:46, personeli i Urgjencës në Rahovec ka njoftuar Policinë se një person i plagosur kishte kërkuar ndihmë mjekësore.

Gjatë kontaktit me zyrtarët policorë, i mituri ka deklaruar se një person i panjohur kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të tij.

Për shkak të plagës së marrë, ai është dërguar në Spitalin Rajonal të Gjakovës, ku po trajtohet në Repartin e Ortopedisë.

Sipas mjekut kujdestar, i mituri ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Ndërkohë, në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë dhe njësia e forenzikës, të cilët kanë kryer ekzaminimin e lokacionit, por gjatë kontrollit nuk kanë gjetur prova materiale të dyshimta.

Identiteti i personit që dyshohet se ka shtënë me armë, si dhe motivi i sulmit, mbeten ende të panjohur.

Rasti është marrë në trajtim nga autoritetet kompetente dhe po hetohet si “Vrasje në tentativë”.



Read it all at Gazeta e Prizrenit