“Jetoni ka armë, ndihem shumë e rrezikuar” – Arlinda Zekaj paralajmëroi Policinë muaj para se të vritej, askush nuk e verifikoi armën që u gjet pas tragjedisë

- Gazeta e Prizrenit

“Jetoni ka armë, ndihem shumë e rrezikuar” – Arlinda Zekaj paralajmëroi Policinë muaj para se të vritej, askush nuk e verifikoi armën që u gjet pas tragjedisë
Detaje të reja dhe shqetësuese kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen tragjike të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës. Viktima kishte paralajmëruar Policinë e Kosovës që në muajin korrik se ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, posedonte armë zjarri dhe se ajo ndihej e rrezikuar prej tij. Megjithatë, sipas raportit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, institucionet nuk kishin ndërmarrë veprime konkrete për verifikimin e armës.

Sipas të dhënave të raportit, më 10 korrik 2026, Arlinda Zekaj ishte paraqitur në Stacionin Policor në Pejë, ku kishte deklaruar se ish-bashkëshorti i saj e kishte kërcënuar me vdekje dhe e kishte larguar nga shtëpia.

Gjatë deklarimit para hetuesve policorë, ajo kishte treguar se Jeton Sylaj posedonte armë zjarri me leje, ndërsa kishte shprehur shqetësimin për sigurinë e saj.

“Po Jetoni posedon armë zjarri me leje. Jo asnjëherë nuk më ka kërcënuar me armë. Nuk e di ku ndodhet arma. Po shumë e ndjej veten të rrezikuar nga Jetoni”, kishte deklaruar viktima.

Policia dhe Prokuroria ishin njoftuar, por arma nuk u verifikua

Sipas raportit të Inspektoratit Policor të Kosovës, hetuesi policor Qëndrim Sheremeti kishte njoftuar prokuroren kujdestare, Sadije Muriqi, lidhur me deklaratën e Arlindës.

Megjithatë, raporti evidenton se nuk ishte ndërmarrë ndonjë veprim konkret për sekuestrimin e armës.

“Përkundër kësaj lidhur me deklarimin se i dyshuari posedon armë, nuk ishte ndërmarrë ndonjë veprim konkret për sekuestrimin e armës”, thuhet në raportin e IPK-së.

Arma u gjet në shtëpinë e Jeton Sylajt vetëm pas vrasjes

Një tjetër element i rëndësishëm del nga vlerësimi i koordinatorit nacional për dhunën në familje në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, prokurorit Ersan Qavolli.

Sipas tij, institucionet nuk kishin verifikuar as përmes sistemit zyrtar nëse Jeton Sylaj posedonte armë me leje dhe as nëse arma ndodhej në shtëpinë e tij.

Vetëm pas vrasjes së Arlinda Zekajt, në shtëpinë e ish-bashkëshortit të saj ishte gjetur një armë.

“Nga kjo vërehet se çështja e armës së përmendur nga viktima nuk është trajtuar, nuk verifikuar fillimisht përmes sistemit nëse Jeton Sylaj posedon armë me leje, nuk është verifikuar në shtëpinë e tij nëse ka armë në shtëpi dhe çështje të tjera me rëndësi, e që pas rastit kritik rezulton se në shtëpinë e Jeton Sylaj është gjetur armë”, thuhet në vlerësimin e Qavollit.

Në dijeni ishte edhe kryeprokurorja e Pejës

Sipas raportit, për rrethanat e rastit dhe deklarimin e viktimës lidhur me armën kishte qenë në dijeni edhe kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj.

“Për të gjitha këto rrethana ka qenë e njohur edhe Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë Lumturije Vuçetaj”, thuhet në raport.


Koordinatori nacional ka vlerësuar se, pavarësisht kohës kur ishte raportuar arma, institucionet duhej të kishin ndërmarrë veprime për verifikimin e saj.

“Po ashtu vlerësoj se pavarësisht se arma është raportuar në muajin Korrik 2026, ka qenë dashur që të bëhet një verifikim për këtë armë”, ka theksuar Qavolli.

Rasti për kanosje ishte iniciuar që në korrik

Nga të dhënat e raportit rezulton se ndaj Jeton Sylajt ishte iniciuar rast penal për kanosje që në muajin korrik, ndërsa aktakuza ishte ngritur më 23 tetor 2026.

Raporti i referohet edhe Ligjit për armët, sipas të cilit rrethanat që lidhen me dhunën në familje dhe hetimet penale mund të përbëjnë bazë për sekuestrimin e armës dhe revokimin e lejes.

Megjithatë, sipas gjetjeve të raportit, arma e raportuar nga viktima nuk ishte verifikuar para vrasjes së saj.

Vrasja që tronditi Kosovën

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuari kryesor për vrasjen është kunati i saj, Albert Sylaj.

Sipas të dhënave të deritanishme, dyshohet se viktima është goditur me një mjet të fortë.

Duhet theksuar se raporti nuk përcakton ndonjë lidhje ndërmjet armës së gjetur në shtëpinë e Jeton Sylajt dhe vrasjes së Arlindës.

Megjithatë, mosverifikimi i armës, pavarësisht paralajmërimit të viktimës, përbën një nga çështjet e evidentuara në raport lidhur me trajtimin institucional të rastit.

Pse nuk u verifikua arma që Arlinda Zekaj e kishte raportuar muaj përpara vrasjes dhe a do të mbajë dikush përgjegjësi për mosveprimin e konstatuar në raport?

Këto janë ndër pyetjet që shtrohen pas publikimit të gjetjeve mbi mënyrën se si institucionet kishin trajtuar paralajmërimet e viktimës.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.



Read it all at Gazeta e Prizrenit