Takimet e Gjeçovit janë një nga manifestimet më të rëndësishme letrare, kulturore dhe shkencore në Kosovë, që mbahet çdo vit në Zym të Hasit, në nderim të figurës së At Shtjefën Gjeçovit.
Manifestimi i organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve “Shtjefën Gjeçovi”, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Komunën e Prizrenit, edhe këtë vit mblodhi krijues, studiues dhe dashamirë të kulturës nga të gjitha trevat shqiptare.
Edicionin e 55-të të këtij manifestimi tradicional, e hapi organizatorja dhe kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve “Shtjefën Gjeçovi”, Arbnora Kolgjeraj, e cila tha se kjo ngjarje i dha Zymit një vend të veçantë në jetën kulturore shqiptare.
E pranishme në këtë ngjarje ishte edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, e cila vlerësoi rëndësinë e Takimeve të Gjeçovit në ruajtjen e vlerave të kulturës, dijes dhe trashëgimisë sonë kombëtare, për më shumë se gjysmë shekulli, raporton Tv Prizreni.Ndërsa, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, u zotua për mbështetje të vazhdueshme për këtë manifestim.
Ambasadori i Kosovës në Koraci, Martin Berisha, tha se Zymi është trashëgimi e gjallë dhe djep i rëndësishëm i kulturës shqiptare.
I themeluar në vitin 1971, manifestimi tradicional “Takimet e Gjeçovit” përmban sesione shkencore, orë letrare, promovime librash, aktivitete artistike dhe ndarjen e çmimeve të ndryshme.
Si pjesë e kësaj ngjarje, është edhe Festivali i Rakisë në Zym të Hasit, kushtuar mikpritjes, shijes autentike të këtij vendi dhe traditës së prodhimit të rakisë.