22 persona janë arrestuar në një operacion të Policisë së Kosovës kundër organizimit të lojërave të paligjshme të fatit, i zhvilluar në rajonin e Prizrenit.
Sipas njoftimit të përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë, operacioni është realizuar të martën në mbrëmje, më 4 nëntor, nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prizren, pas hetimeve disa mujore, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.
Në kuadër të planit operativ “Bixhozi”, janë kontrolluar 20 lokacione, përfshirë lokale afariste dhe shtëpi banimi, në tri komuna Prizren, Suharekë dhe Dragash.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar rreth 10 mijë euro para të gatshme, pajisje elektronike, katër armë zjarri dhe municion, të cilat mund të shërbejnë si prova në procedurën penale.
Të dyshuarit dyshohet se kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Pas intervistimit, me vendim të Prokurorisë, 19 të dyshuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa tre të tjerë janë liruar dhe do të vazhdojnë procedurën në gjendje të rregullt. / Gazeta e Prizrenit /