Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar pesë shtetas turq, të dyshuar për sulmin fizik, rrëmbimin dhe mbajtjen kundër vullnetit të tij të një shtetasi tjetër turk në Prizren, transmeton IndeksOnline.
Viktima është identifikuar më 4 nëntor dhe gjatë intervistimit ka deklaruar se ishte rrahur dhe plagosur me thikë, ndërsa më pas ishte dërguar kundër vullnetit të tij në një objekt në Prishtinë, ku ishte mbajtur për rreth 12 orë.
Sipas dëshmisë së viktimës, të dyshuarit e kishin detyruar të hiqte dorë nga punimet ndërtimore që po kryente në një objekt banesor në Prizren.
Pas hetimeve intensive, më 9 dhe 10 nëntor, Policia ka identifikuar dhe arrestuar pesë të dyshuarit, të gjithë shtetas të Turqisë.
Gjithashtu, është sekuestruar automjeti që dyshohet se është përdorur gjatë incidentit.
Me vendim të prokurorit, pesë të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Rasti po hetohet për veprat penale “Shtrëngim”, “Privim i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Lëndim i lehtë trupor”./