Arma amerikane, municioni turk – ushtari i FSK-së për pak sa nuk humbi jetën nga shpërthimi brenda armës gjatë ushtrimeve

- Gazeta e Prizrenit

Arma amerikane, municioni turk – ushtari i FSK-së për pak sa nuk humbi jetën nga shpërthimi brenda armës gjatë ushtrimeve

Një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës për pak sa nuk e ka paguar me jetë një incident të rëndë gjatë ushtrimeve ushtarake në Babaj të Bokës, ku një municion 40 milimetërsh i prodhimit turk ka shpërthyer brenda një arme amerikane të tipit MK-19.

Gazeta Sinjali ka siguruar ekskluzivisht pamjet e incidentit të ndodhur gjatë muajit shtator, kur pjesëtarët e FSK-së po kryenin qitje me granatahedhësin automatik amerikan, duke përdorur municion turk.

Në video shihet momenti i qitjes, i shoqëruar me një shpërthim dhe tym, ndërsa personi që po filmon reagon menjëherë dhe kamera lëviz papritur.

Sipas burimeve të Sinjalit, municioni ka shpërthyer brenda armës, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e pjesëtarit të FSK-së që po e përdorte.

Por ky nuk është problemi i parë që, sipas burimeve, është evidentuar me këtë lloj municioni.

Burimet e Sinjalit zbulojnë se municioni turk kishte shfaqur defekte edhe më herët, madje në incidente të tjera pretendohet se kishte pasur edhe ushtarë të lënduar.


Për këto probleme, sipas të njëjtave burime, ishin paraqitur ankesa dhe paralajmërime, por ato nuk ishin marrë parasysh dhe municioni kishte vazhduar të përdorej gjatë ushtrimeve.

Madje, burimet pretendojnë se për incidentet e mëhershme ishin përpiluar raporte, të cilat nuk ishin bërë publike.

Incidenti i shtatorit ka rikthyer shqetësimet për sigurinë e pjesëtarëve të FSK-së dhe përdorimin e municionit për të cilin, sipas informacioneve të Sinjalit, kishte pasur paralajmërime të vazhdueshme.

Pretendimet për defektet, lëndimet e mëhershme dhe raportet e papublikuara nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur nga Sinjali.



Read it all at Gazeta e Prizrenit