I vodhi 115 euro një qytetari, gjakovari dënohet me 7 vjet burgim dhe 500 euro gjobë

- Gazeta e Prizrenit

I vodhi 115 euro një qytetari, gjakovari dënohet me 7 vjet burgim dhe 500 euro gjobë

Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj A.M., i cili është dënuar me shtatë vjet burgim dhe 500 euro gjobë për veprën penale të grabitjes.

Sipas njoftimit të gjykatës, i pandehuri është shpallur fajtor pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, ndërsa kryetar i trupit gjykues ishte gjyqtari Sulltan Dobraj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ngjarja ka ndodhur më 1 qershor 2026, rreth orës 17:50, prapa këndit të lojërave “Kids Center”, në rrugën “Ferid Domi” në Gjakovë.

I pandehuri, së bashku me dy të mitur, fillimisht kishte lënë takim me të dëmtuarin E.B. Pasi janë takuar, A.M. dyshohet se e ka kapur nga qafa çantën e viktimës, duke mbajtur një thikë në dorë.

Gjatë përleshjes, ai e ka goditur të dëmtuarin disa herë me dorezën e thikës në krahun e majtë, ia ka prerë rripin e çantës dhe ia ka marrë atë.

Më pas, nga portofoli që gjendej në çantë, i ka marrë 115 euro. Sipas aktakuzës, pasi ka kontrolluar çantën, i pandehuri dhe dy të miturit e kanë goditur sërish viktimën me grushte në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar./Arbresh.info.



Read it all at Gazeta e Prizrenit