Cikloni ‘Charles’ po afrohet: Deri në 23°C të premten, stuhi të forta, rrebeshe, përmbytje, rrufe

- Gazeta e Prizrenit

Cikloni ‘Charles’ po afrohet: Deri në 23°C të premten, stuhi të forta, rrebeshe, përmbytje, rrufe

Masat e ngrohta me origjinë nga Afrika Veriore tashmë kanë përfshirë një pjesë të madhe të kontinentit, duke përfshirë edhe vendin tonë.

Megjithatë, po mbizotërojnë kushte të paqëndrueshme atmosferike, si rezultat i formimit të sistemeve me presion të ulët atmosferik që vijnë nga Atlantiku. Këto sisteme po sjellin fuqizim të erërave nga drejtimi i jugperëndimit, me ç’rast temperaturat gjatë ditës së sotme kanë arritur rreth 20°C.

Nën këto kushte, sonte gjatë natës pritet të fillojnë gradualisht reshjet e shiut, të cilat lokalisht do të paraqiten në formë rrebeshesh, shkruan MeteoKosova përcjell Gazeta e Prizrenit.

Pra, të premten, gjatë orëve të para të 24-orëshit dhe mëngjesit, lokalisht priten rrebeshe shiu. Përndryshe, pjesa më e madhe e vendit do të karakterizohet me diell dhe vranësira të pakta.

Ndërkohë, erërat nga drejtimi i jugperëndimit pritet të fuqizohen edhe më shumë për shkak të afrimit të ciklonit “Charles”, duke arritur në momente të caktuara intensitet stuhie të fortë. Veçanërisht në Rrafshin e Dukagjinit, me hove të erës që mund të arrijnë shpejtësinë deri në 80 km/h.

Erërat e fuqishme mund të shkaktojnë dëme lokale, përfshirë thyerjen e degëve të mëdha, rrëzimin e pemëve të dobëta, si dhe dëmtime në çati, sera dhe struktura të lehta. Objektet e palidhura mirë mund të zhvendosen apo edhe të fluturojnë, duke paraqitur rrezik për njerëzit dhe pronën.

Gjatë ditës pritet të shtohet prania e vranësirave, të cilat më të përqendruara do të jenë në Rrafshin e Dukagjinit dhe në një pjesë të territorit drejt veriut. Vranësirat herë pas here do të gjenerojnë reshje lokale shiu, të cilat në momente të caktuara do të jenë në formë rrebeshesh. Ndërkohë, temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 23°C.



Read it all at Gazeta e Prizrenit