Në Prizren gjobiten me nga 100 euro shoferët e autobusëve

- Gazeta e Prizrenit

Në Prizren gjobiten me nga 100 euro shoferët e autobusëve

Policia e Kosovës, me zyrtarët patrullues nga Stacioni Policor në Prizren, në kuadër të planit operativë dhe detyrave të rregullta policore, dje ka ndërmarrë aktivitete të shtuara të kontrollit, monitorimit dhe vëzhgimit në komunikacion në zonën e stacionit të autobusëve.

Sipas policisë, qëllimi i këtyre aktiviteteve ishte verifikimi i respektimit të shenjave të trafikut dhe obligimit për hyrje në Stacionin e Autobusëve nga drejtuesit e autobusëve të kompanive të ndryshme që operojnë në rajonin e Prizrenit.

Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë hasur disa drejtues autobusësh të cilët nuk e kanë respektuar vend ndaljen zyrtare, duke mos hyrë fare në stacion për marrjen e udhëtarëve, por duke u ndalur në afërsi të tij, jashtë hapësirave të parapara për këtë qëllim.

Ndaj kundërvajtësve janë ndërmarrë masat ligjore përkatëse dhe secilit prej tyre i është shqiptuar gjobë në shumën prej 100 euro.

Policia e Kosovës iu ka bërë thirrje te të gjithë drejtuesit e autobusëve dhe përfaqësuesit e kompanive të transportit publik të udhëtarëve që të respektojnë rregullat e komunikacionit, dispozitat ligjore në fuqi, si dhe parimet e konkurrencës së drejtë dhe të ndershme.



Read it all at Gazeta e Prizrenit