Katër punonjës të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë suspenduar pas evidentimit të parregullsive në menaxhimin e barnave dhe materialit shpenzues.
Lajmi është bërë i ditur nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), përmes një komunikate për media.
Sipas njoftimit, drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, Elvir Azizi, ka informuar Bordin Drejtues se Komisioni Disiplinor i QKUK-së ka marrë vendim për suspendimin e katër punonjësve, në lidhje me parregullsitë e evidentuara.
Çështja është diskutuar në mbledhjen e tetë të Bordit Drejtues, të udhëhequr nga kryesuesi Faik Shatri.
Në këtë mbledhje, Bordi ka kërkuar nga Drejtoria e Përgjithshme që të raportojë rregullisht, në çdo mbledhje, për ecurinë e procedurave disiplinore dhe veprimet e ndërmarra.
SHSKUK ka bërë të ditur se do të vazhdojë trajtimin e rasteve me seriozitet dhe në përputhje me procedurat në fuqi, me synimin e forcimit të përgjegjësisë institucionale në menaxhimin e barnave dhe materialit shpenzues.