Jakup Krasniqi ka ardhur sot në Kosovë për një vizitë të organizuar për arsye humanitare, ka konfirmuar për Front Online zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle.
Doyle ka bërë të ditur se Trupi Gjykues ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të organizojë vizitën nën mbikëqyrje për Krasniqin.
“Për arsye të rëndësishme humanitare, Trupi Gjykues ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të organizojë një vizitë nën mbikëqyrje në Kosovë për Jakup Krasniqin”, thuhet në përgjigjen e Doyle për Front Online.
Ai ka theksuar se kjo është vizita e 15-të e këtij lloji, e urdhëruar nga gjyqtarët e Dhomave të Specializuara për arsye humanitare dhe e organizuar nga gjykata deri më tani.
Sipas Doyle, vizita të tilla lejohen në bazë të Rregullës 56 të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, e cila bazohet në të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Ai ka sqaruar se kur një i paraburgosur paraqet kërkesë për një vizitë të tillë, gjyqtarët që trajtojnë çështjen vlerësojnë të gjitha rrethanat në kohën e paraqitjes së kërkesës, duke marrë vendim në përputhje me kornizën ligjore të gjykatës dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Megjithatë, në përgjigjen e tij për Front Online, Doyle nuk ka bërë të ditur se cilat janë rrethanat konkrete humanitare që kanë çuar në lejimin e vizitës së Krasniqit.