Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj tre vëllezërve, të dyshuar se sulmuan fizikisht vëllanë, motrën dhe një të mitur në Prevallë, pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare që dyshohet se lidheshin me konkurrencën në biznes.
Të pandehurit S.Sh., J.Sh. dhe E.Sh. dyshohen për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.
Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë së Shtetit, lidhur me incidentin që dyshohet se ka ndodhur më 17 nëntor 2026, rreth orës 15:40, në fshatin turistik Prevallë.
Sipas njoftimit të Gjykatës, tre të pandehurit dyshohen se, për shkak të mosmarrëveshjeve dhe xhelozisë së vazhdueshme familjare lidhur me konkurrencën në të njëjtin biznes që e ushtrojnë prej vitesh, kanë sulmuar fizikisht vëllanë e tyre, B.Sh.
Ngjarja dyshohet se nisi kur të pandehurit e panë vëllanë e tyre duke biseduar me një kushëri.
Sipas dyshimeve, ata dolën nga automjeti dhe menjëherë filluan ta godisnin me grushte në fytyrë dhe pjesë të ndryshme të trupit.
Në përpjekje për ta ndalur përleshjen ndërhynë edhe motra e tyre, F.B., dhe i mituri D.B., por sipas Gjykatës, edhe ata u sulmuan fizikisht nga të pandehurit.
Si pasojë e sulmit, të tre të dëmtuarit pësuan lëndime të lehta trupore dhe morën trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Një tjetër detaj i rastit lidhet me telefonin e të miturit D.B., i cili, sipas dyshimeve, po e regjistronte përleshjen fizike.
Gjykata ka bërë të ditur se të pandehurit, pasi vërejtën se i mituri po e incizonte ngjarjen, dyshohet se ia dëmtuan telefonin, duke i shkaktuar dëm material.
Për këtë veprim, tre të pandehurit dyshohen edhe për veprën penale të dëmtimit të pasurisë.
Në arsyetimin për caktimin e paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh edhe rrezikun e përsëritjes së veprave penale.
Sipas njoftimit, i pandehuri S.Sh. rezulton të jetë dënuar më parë me dy aktgjykime të formës së prerë për vepra penale të natyrës së ngjashme.
Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku që, nëse lihen në liri, të pandehurit mund të përsërisin vepra të ngjashme ose të kryejnë vepra penale edhe më të rënda.
Për këto arsye, ndaj S.Sh., J.Sh. dhe E.Sh. është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Shënim: Personat e apostrofuar konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.