Përfaqësuesit e BL-ve në Prizren nga KEDS-it marrin zotime për intervenime urgjente në rrjetin elektrik

- Gazeta e Prizrenit

Përfaqësuesit e BL-ve në Prizren nga KEDS-it marrin zotime për intervenime urgjente në rrjetin elektrik

Përfaqësuesit e bashkësive lokale të Komunës së Prizrenit protestuan sot në mënyrë paqësore para zyrave të kompanisë KEDS në Prizren, ku kanë shprehur pakënaqësitë e qytetarëve për problemet e vazhdueshme me furnizimin me energji elektrike, përcjell Gazeta e Prizrenit.

Përfaqësuesit e disa lokaliteteve, si Petrit Hoxhaj e tjere kanë deklaruar se gjendja është tejet e rënduar në pjesën më të madhe të territorit të komunës, duke kërkuar intervenim urgjent për sanimin e problemeve në rrjetin elektrik. Njëkohësisht, ata kanë kërkuar që kryetarët e bashkësive lokale të njihen si përfaqësues legjitimë të komuniteteve të tyre.

Pas protestës, një delegacion i përfaqësuesve ka zhvilluar një takim me zyrtarët e KEDS-it. Pas takimit, Petrit Hoxhaj, në emër të delegacionit, bëri të ditur se nga përfaqësuesit e kompanisë kanë marrë garanci për intervenime më të shpejta në rastet emergjente.

Sipas tij, është dakorduar që rastet emergjente në rrjetin elektrik, të raportuara nga bashkësitë lokale, të trajtohen me prioritet dhe të ndërmerren veprime sa më të shpejta për zgjidhjen e tyre.

Po ashtu, Hoxhaj bëri të ditur se KEDS-i ka pranuar që kryetarët e bashkësive lokale të njihen si përfaqësues legjitimë të komuniteteve të tyre, duke pranuar dhe trajtuar kërkesat, ankesat dhe raportimet e tyre lidhur me gjendjen e rrjetit elektrik.

Edhe zëdhënësi i KEDS-it, Adlum Ramadani, konfirmoi se kompania do të ndërmarrë angazhime emergjente në terren me qëllim të përmirësimit të gjendjes, duke shtuar se bashkëpunimi me përfaqësuesit e bashkësive lokale do të intensifikohet në vazhdimësi.

Sipas Ramadanit, gjendja në terren është e rënduar për shkak të dëmtimeve të konsiderueshme të rrjetit elektrik, të shkaktuara nga erërat e fuqishme që kanë mbretëruar për një periudhë të shkurtër brenda dhjetë ditëve të fundit.

Ndërkaq, Hoxhaj bëri të ditur se gjatë takimit është arritur pajtimi që për çdo investim të planifikuar nga KEDS-i në territorin e Komunës së Prizrenit, paraprakisht të kontaktohen kryetarët e bashkësive lokale përkatëse. Kjo, me qëllim të koordinimit më të mirë dhe shmangies së problemeve gjatë vendosjes së shtyllave elektrike dhe realizimit të punimeve në terren.

Përfaqësuesit e bashkësive lokale shpresojnë që KEDS-i tu përmbahet zotimeve të dhëna dhe të dëshmojë korrektësi e përgjegjësi në bashkëpunimin me secilin kryetar të bashkësisë lokale. /GeP



Read it all at Gazeta e Prizrenit