Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës, Amir Hoxha ka njoftuar se ka vendosur të japë dorëheqje nga pozita e tij, pas reagimeve lidhur me komentin e tij “palaço” të bërë në një postim për komandantin e FSK-së, Bashkim Jasharin.
Ai ka theksuar se komenti ishte qëndrim personal dhe nuk përfaqësonte qëndrimin politik të subjektit ku bën pjesë, e as atë institucional të Drejtorisë që drejton në Komunën e Suharekës.
Megjithatë, Hoxha ka bërë të ditur se ka vendosur të marrë përgjegjësi për veprimin e tij, duke paraqitur dorëheqjen nga posti i Drejtorit të Shërbimeve Publike.
“Përtej kërkimfaljes, të paraqes dorëheqjen time nga pozita e Drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës”, ka shkruar Hoxha.
Hoxha ka kërkuar falje publike ndaj Bashkim Jasharit dhe të gjithë atyre që mund të jenë ndier të fyer nga komenti i tij.