Situata aktuale politike në Shqipëri është shumë shqetësuese për shkak të konflikteve dhe mospajtimeve mes pozitës në pushtet, PS-së, dhe opozitës e kryesuar nga PD-ja, kryekëput për shkak të qëndrimeve arbitrare dhe përjashtuese të mazhorancës në Parlament ndaj opozitës, në kohën kur kombi shqiptar vazhdon të jetë ende i ndarë dhe i copëtuar në 6 shtete, dhe ku pothuajse asnjëra nga këto pjesë te të njëjtit trung ende nuk e kanë të zgjidhur statusin e tyre politik dhe nacional.
Kjo gjendje e pazgjidhur e çështjes kombëtare shqiptare është e papranueshme për çdo shqiptar, derisa në anën tjetër, Shqipëria ballafaqohet me probleme të brendshme, siç është korrupsioni, krimi i organizuar ekonomik, tregtia me lëndë narkotike, çështja e pazgjidhur e pronave, etj.
Lidhur me situatën e acaruar politike në Shqipëri, sidomos rreth zhvillimeve të fundit dramatike, siç është arrestimi dhe izolimi shtëpiak kryetarit të PD-së dhe liderit të opozitës, Dr. Sali Berisha, i morëm një intervistë ekskluzive Dr. Nikollë Shabanit, njohës mjaftë i mirë i rrethanava politike në Shqipëri.
Pyetje; z. Shabani, a mund të na flisni në pika të shkurta nga këndi juaj i një intelektuali që vjen nga Pellgu verior i Shkodrës, nga Ulqini, aktualisht me banim në Gjermani, se cilat janë shkaqet që Shqipërinë tonë të dashur e sollën në këtë situatë të komplikuar politike, sidomos gjatë muajve të fundit ?
Dr. N. Shabani: Nuk është kjo hera e parë që në Shqipëri tensionet politike arrijnë në pikën më të nxehtë, derisa në anën tjetër, armiqtë tanë shekullor vazhdojnë ti mbajnë të uzurpuara tokat shqiptare, ku Serbia me vite vazhdon ta destabilizojë veriun e Kosovës, ndërsa Greqia vazhdon të mos heq dorë nga jugu i Shqipërisë, kurse strukturat shtetërore në Tiranë vazhdojnë të merren në mënyrë aktive me konflikte ndërpartiake.
Në vitet e 90-ta të gjithë filluam ta vizitojmë Shqipërinë e izoluar të Enver Hoxhës, por të demokratizuar nga demokratët në kye me Dr. Sali Berishën, dhe qysh në atë kohë e vëreja se lokalizimi ishte prezent në masë të tepruar në Shqipëri, pra përceptimi rajonal dhe inatet brendapërbrenda ishin shumë të theksuara. Mjerisht, edhe sot të trishton fakti kur i dëgjon lajmet në radio dhe në media të Shqipërisë, se u vra ky ose ai biznesmen, se u ekzekutua ky ose ai qytetar, ose në këtë dhe atë qytet u burgosën disa hajna dhe grupe për vjedhje të milionave eurove, etj etj.
Por, pa dyshim, ishte shumë i befasueshëm për shqiptarë lajmi për arrestimin shtëpiak të prijësit të Demokracisë në Shqipëri, Dr. Sali Berishës, siç ishte e çuditshme edhe shpallja e tij "Non-grata", dhe tash arrestimi shtëpiak i tij, ndërsa, "çudia e tretë" është që mundësisht Doktori ti prijë Shqipërisë për të tretën herë.
Pyetje: sipas jush, Berisha mund ti prijë Shqipërisë për të tretën herë, apo ?
Dr. N. Shabani: për situatën aktuale mesazhi më i mirë i intelektualëve shqiptarë dhe ai nga protestat nën ballkonin e banesës së Doktorit, është dëshmia, se ashtu siç ishte dhe është Dr. Sali Berisha besnik ndaj Amerikës, ashtu edhe shqiptaret po mbesin besnik ndaj tij. Ajo çfarë është tejet shqetësuese për mua, është fjalori shumë i ashpër që po përdoret ndaj kundërshtarëve politik, dhe shpeshherë harrohet se oponentët politik përfaqësojnë gjysmën e elektoratit dhe votuesve në Shqipëri, sepse kur fyhen dhe shahen udhëheqësit e tyre, në fakt fyhen me mijëra shqiptarë.
Ndaj, kjo sjellje nuk është fare fisnike dhe ajo duhet të hiqet nga fjalori i çdo shqiptari për hir të përparimit dhe zhvillimit mbarëkombëtar.
Tirana zyrtare duhet të bartë përgjegjësi për të gjithë shqiptarët kudo që gjenden, brenda dhe jashtë trevave tona etnike si dhe në diasporë, në kohën kur ekziston baza dhe preteksti historik për të kërkuar të Drejtën Ndërkomtare të Suksedimit të trevave të mbetura jashtë Shqipërisë. Injorimi dhe heshtja e kësaj të Drejte, dikujt po i shkon në favor, që duke i keqpërdorë problemet e brendshme ti minimizojë angazhimet shtetërore për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e interesave vitale të kombit shqiptar.
Pyetje: çfarë do iu sugjeronit dy partive më të mëdha në vend?
Dr. N. Shabani: në Shqipëri duhet tiu jepet më shumë hapësirë veprimi partive të vogla, ngase sa më shumë zëra që të dëgjohen, aq më shumë demokraci do të ketë në Shqipëri. Po ju citoj një thëne të politikanit të madh gjerman, Helmut Schmidt: "Demokracia jeton nga kompromiset. Ai që nuk bën kompromis, për demokraci është i pa përdorshëm".
Dy partive më të mëdha në Shqipëri iu sugjeroj që të bëjnë një koalicion të madh qeverisës, siç është aplikuar, veçanërisht në Gjermani, Austri, Zvicër, Japan, Luksemburg, Holandë etj.
Koalicioni i madh ne Gjermani pas recesionit të 1945-tës u bë edhe katër herë, me 1966-1969, 2005-2009, 2013-2017 dhe 2017-2021, gjë që ky koalicion e forcoi dukshëm shtetin gjerman për ti përballuar sfidat e ndryshme.
Pyetje: sipas jush, ardhja në pushtet e Partisë Socialiste me 2013, ishte diçka pozitive për Shqipërinë, apo ishte një kthesë negative për kauzën gjithëshqiptare në Ballkan ?
Dr. N. Shabani: ndërrimi i pushteteve në Shqipëri është një çështje mjaftë komplekse, sepse gjtihmonë rivaliteti politik midis të Majtës dhe të Djathtës ka qenë i vrazhdë, shpeshherë edhe jashtë kornizave demokratike, dhe për fat të keq mendësia politike në Shqipëri nuk po arrin të lirohet plotësisht nga ajo moniste e sundimit.
Shqipërinë dhe krerët e saj politik dhe shtetëror i njoh që herët, kur isha 28 vjeçar në rolin e përfaqësuesit të Fondacionit Ekonomiko-kulturor ku takova për herë të parë presidentin Sali Berisha, dhe këto takime dhe veprime kombëtare mu bën një përditëshmëri, sikur edhe vitin e kaluar kur bashkë me disa intelektualë takuam dhe biseduam me tre burra shteti në rajonin e Ballkanit perëndimorë, dhe mos ti përmendi këtu takimet e shumta me presidentin Ibrahim Rugova, Ramiz Alinë, Hashim Thaqin, Ilir Metën, Fatmir Sejdiun, presidentin A. Mojsiun, i cili edhe na vizitojë në Gjermani para luftës, duke marrë pjesë në shumë takime tona, etj., ku gjithmonë sugjerimet tona kanë hasur në mbështetjen e duhur.
Dua të nënvizoj, se Partia Socialiste në pushtet kishte bërë shumë mirë sikur të ishte marrë më tepër me çështjen sociale në vend, të përshtat më mirë konceptin e saj me reformat ekonomike në Shqipëri si dhe të kontribuoj në zhveshjen e vendit nga petku i monizmit dhe autoritarizmit për tu liruar njëherë e mirë nga e kaluara komuniste si dhe të profilizohet në kuptimin esencial të parimeve ekonomike social-liberale të socialistëve evropian.
Pyetje: çfarë mendoni, a ka pasur ndikim sindromi përçarës i Tiranës zyrtare tek partitë politike shqiptare në Maqedoni dhe Luginë të Preshevës, dhe si është reflektuar kjo në trojet tjera shqiptare në Ballkan ?
Dr. N. Shabani: e them pa asnjë dyshim, se ndikimi i këtij sindromi shkatërrues i gatuar në Tiranë nga ana e strukturave në pushtet, tek shqiptarët në Maqedoni dhe Luginë të Preshevës, ka pasur ndikim të madh dezintegrues dhe negativ në forcimin e kohezionit gjithëshqiptar në Ballkan, që fatbardhësisht nuk ka arritur të dëpërtojë në Kosovë dhe tek shqiptarët në Mal të Zi.
Pyetje: a ka rrezik që në Shqipëri të vije deri te konflikte të rënda mes dy partive kryesore, PS-së dhe PD-së ?
Dr. N. Shabani; në Shqipëri nuk ekziston rreziku se kush kujt ia mori pushtetin, në Shqipëri shumë njerëz u tërbuan nga pasuria e paligjshme, disa biznesmen u pasuruan brenda natës, por e kemi po ashtu një shtresë të madhe të popullatës që vuan për ekzistencë minimale, shoqëria civile nuk funksionon fare në asnjë fushë të jetës, dhe kjo është shumë shqetësuese. Pastaj, pa lirinë e votës dhe zgjedhjeve demokratike, pa u ndryshuar bindja se vota ka vlerë jetike për qytetarin shqiptar, Shqipëria nuk mund të ecë përpara. Më kujtohet diçka shumë trishtuese kur me 1997 pati ndërrim të pushtetit në Shqipëri, dhe ato ngjarje ishin një tmerr për Shqipërinë, kur tentohej ndarja e saj përmes lumit Shkumbin, si dhe vizita dhe qëndrimi i Kanzelarit austriak Franz Vranitzky, i cili kontribuoj dhe e shpëtoi Shqipërinë nga një tragjedi e madhe kombëtare.
Pyetje: ju lutëm, na e thoni mendimin tuaj personal rreth dështimit të nismës së "Ballkanit të hapur", për të cilin është folur dhe shkruar nga kënde të shumta politike ?
Dr. N. Shabani: duke i ditur qëllimet dhe prapavinë e një nisme të tillë, ne intelektualët që jetojmë dhe veprojmë në mërgim, e kemi thënë menjëherë dhe publikisht se kjo nismë ishte vazhdimësi e hegjemonisë serbe për dominim të ri në Ballkan, njëfarë Jugosllavie e tretë, ku A. Vuçiqi deshti tia çojë në vend amanetin Krajl Aleksandrit, në çastin kur maqedonasi e vrau atë në Marsej, dhe ai me atë rast la një fjalë: "Ma ruani Jugosllavinë". Ne, me vizitën tonë në Tiranë, Prishtinë dhe Podgoricës në prill të vitit të kaluar, kemi dhënë mesazh të qartë, se nisma "Ballkani i hapur" përfundimisht do të fundoset për ti hapur rrugë procesit te Berlinit, çfarë edhe u arrit.
Pyetje: ju lutëm na flisni pak për figurën e Dr. Sali Berishës, ish president dhe kryeministër i Shqipërisë, tani lideri i PD-së dhe opozitës, ndaj të cilit ka disa vite që janë ngritur akuza dhe kritika të shumta, dhe kush po përfiton nga arrestimin shtëpiak të Dr. Sali Berishës ?
Dr. N. Shabani: Kësaj pyetjeje i kisha shtuar, kujt i shkon në favor arrestimi i Berishës, ose kënd e rrezikon Berisha ? Unë, si dhe gjithë shqiptarët jemi në pritje që të njoftohemi se cilat gabime dhe mëkate i ka bërë Dr. Sali Berisha në jetën e tij politike dhe shtetërore, akuza këto të cilat janë shumë prekëse, sidomos për ata që e njohin për së afërmi atë, dhe, siç thotë thënia jonë popullore; "babain tim mund ta shajë vetë, por nuk durojë të ma shajnë të tjerët". Dr. Sali Berisha i takon secilit shqiptar, është figura të cilën e ka zgjedh me vota disa herë populli shqiptar i Shqipërisë, dhe ç është më interesante, atë e ka përzgjedhur vetë Nënë Tereza, e cila ia ka vu dorën mbi kokë dhe ia ka dhënë aurorën e demokracisë me i pri popullit shqiptar. Berisha i ka mbetur besnik betimeve të tij, ndaj mbetet të shohim përfundimin e këtij skenari të dëmshëm për gjithë shqiptarët. Të përlyhet Prof. Dr. Sali Berisha, kjo nuk i shkon në favor asnjë shqiptari, qoftë socialist apo demokrat.