Historia e trishtë e dy yjeve të futbollit/ Nga kurthi i agjentit të KGB me sulmuesin që u burgos për përdhunimin e bukuroshes Lebedjeva, tek prangosja e Skënder Halilit në hotel ‘Donika’

- Bota Sot

Historia e trishtë e dy yjeve të futbollit/ Nga kurthi i agjentit të KGB me sulmuesin që u burgos për përdhunimin e bukuroshes Lebedjeva, tek prangosja e Skënder Halilit në hotel ‘Donika’

Skënder Halili, edhe sot, konsiderohet njeri nga qendër-mbrojtësit më në zë të futbollin shqiptar, kurse Eduard Strecovi, ndër qendër-sulmuesit më të mëdhenj, jo vetëm të futbollin sovjetik, por edhe botëror. Por të dy, në periudha të ndryshme kohore, kanë pasur të njëjtin fat tragjik…! Të dy janë shkëputur mizorisht nga futbolli, të dy janë dergjur burgjeve komuniste. Dënimet e këtyre futbollistëve të mëdhenj, janë bërë në mënyrën më djallëzore. Dhe ja se si:

Dënimi i Skënder Halilit

Ishin ditët e para të shtatorit të viti 1966. Bardheblutë ndienin ende të freskët gëzimin e fitores për të dytën herë radhazi të kampionatit të futbollit. Madje, këtë radhë drejtpërdrejt në dyluftim me “Partizanin”. Pasi të dyja skuadrat e kishin mbaruar kampionatin me pikë të barabarta, 38 secila, për të përcaktuar skuadrën kampione, duhej të zhvillohej një ndeshje e tretë.

Dhe atë e fitoi “17 Nëntori”, 2 − 1. Dy golave, së pari të Xhuxh Kazanxhiut dhe pastaj të Bari Ishkës, në pjesën e dytë, iu përgjigj Bert Jashari i “Partizanit”, me të ashtuquajturin gol të “ngushëllimit”. Dhe befas si rrufe në qiell të kthjelltë, u përhap lajmi se; Skënder Halilin, qendërmbrojtësin shembullor të tiranasve, e kishin ndalur dhe e kishin burgosur. Kur kampionët po bëheshin gati të udhëtonin për në Norvegji, ku do të zhvillonin ndeshjen e parë, për Kupën e Kampionëve, sepse i kishin gjetur një shumë të vogël dollarësh amerikanë, të cilësuara; “kontrabandë”.

Siç kam shkruar më parë, më 1958-ën, po kështu ishte burgosur edhe futbollisti i madh sovjetik, Eduard Strelcov. Dhe ishte dënuar me 12 vjet burgim. Mirëpo Strelcovi, më 1965-ën u lirua nga burgu dhe nisi të luante me “Torpedon”, atë që fitoi edhe kampionatin. Luajti dhe me përfaqësuesen. Ndërkohë, kjo nuk ndodhi me Qemal Voglin, edhe ai i liruar nga burgu. Ky fat do ta priste më pas edhe Halilin! Po përpiqem të rrëfej më poshtë dramën e këtyre dy futbollistëve.

Eduard Strelcovi

Që në moshën 16-vjeçare, nis e luan me “Torpedon”, skuadër e Fabrikës së Prodhimit të Automjeteve “Lihaçov” në Moskë. Një vit më pas, në vitin 1954, bën pjesë në përfaqësuesen sovjetike, më 1955-ën në dy ndeshje, qendërsulmues i saj, shënon nga tre gola; në moshën 18-vjeçare, është bombardieri më i mirë i kampionatit sovjetik, më 1956, 19-vjeçar, kampion me skuadrën sovjetike të futbollit në Lojërat Olimpike të Melburnit. Është mbiquajtur “Strelec”, (në rusishte, shenjëtar), në ngjashmëri me mbiemrin e tij “Strelcov”.

Vjen kështu viti 1958, viti i botërorit të futbollit, që zhvillohet në Suedi, ku bën pjesë dhe përfaqësuesja sovjetike. Ajo do të zbresë për të parën herë, në skenat e shfaqjeve të një teatri të tillë të rruzullit tonë tokësor. Dhe jo si hirushe e ndrojtur para mijëra shikuesve, por edhe para qindra e qindra milionave të tjerëve, që ulen përballë ekraneve të televizorëve, për të parë yjet e futbollit botëror.

Për të parë ndër ta, edhe 17-vjeçarin brazilian, Pele, dhe në skuadrën sovjetike, për të parë, veç Jashinit, i cili që aso kohe, si portier, numërohej në botë me gishtat dorës, edhe Eduard Strelcovin, që, po të luante në Suedi, do të mbi quhej “Peleja i bardhë”, sepse e kishin parë ato vite të vezullonte edhe në stadiumet e vendeve të tjera perëndimore. Mirëpo “Pelenë e zi”, e panë në Botërorin ’58-ës, por jo “të bardhin”.

Siç e kam përmendur, atëherë edhe unë i ri, 20 vjeç djalë, mbeta i shtangur, kur në numrin më të freskët të “Sovjetskij Sportit”, të datës 28 maj, lexova se një ditë më parë, Strelcovi ishte arrestuar me akuzën e “përdhunimit të një vajze”. Dhe së bashku me lojtarë të tjerë të kombëtares sovjetike, Boris Tatushinin dhe Mihail Ogonjkovin. Tamam, vetëm disa ditë para se në Suedi të fillonte Botërori 1958.

Çështja “Strelcov”, përmbante; “shumë elemente kundërtore dhe, mbi të gjitha, kishte një numër dëshmish akuzuese të pamjaftueshme për të fajësuar këtë figurë kaq të zëshëm në botën sportive. Mirëpo akuzat u mbështetën nga lart”. (Citohet sipas burimeve, referuar “Eduard Strelcov”, në gjuhën ruse).

Përse këto akuza të pamjaftueshme “mbështeteshin nga lart”, dhe sollën burgimin dhe dënimin e pamëshirshëm ndaj këtij futbollisti, i cilësuar madje, si sulmuesi më i mirë në historinë e futbollit sovjetik?! Mos ndoshta se kishte kryer “veprimtari subversive” në dëm të shtetit sovjetik?! Mos ndoshta se kishte bashkëpunuar me “agjentura të huaja”, dhe, për më keq, se kishte qenë “poli-agjent”, ashtu si paranojaku Enver Hoxha, akuzoi Mehmet Shehun dhe e zhduku nga faqja e dheut?! Kurrsesi! Po atëherë, ç’kishte ndodhur?!

Kam skeduar shumë artikuj studimorë, rreth dënimit të Strelcovit, të cilët janë botuar në vitet ’90-të dhe veçanërisht pas viteve 2000 në Rusi, dhe, po në internet, kam parë emisione dhe dokumentarë të përcjellë nga kanale të sotme televizive ruse, ku janë analizuar të gjitha dokumentet e procesit hetimor dhe gjyqësor, që ndodhen në dosjen e Strelcovit, si dhe ato që mbeten të pazbuluara deri kohët e fundit.

Të tëra dëshmojnë se ndaj këtij futbollisti të madh, u thurën intriga nga më të mbrapshtat dhe më të neveritshmet, me dijeninë dhe miratimin edhe qarqeve të larta qeveritare, madje dhe me dijeninë e vetë Hrushovit, sekretarit të parë të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe kryeministrit të qeverisë, në mënyrë që këmba e tij, të mos shkelte asnjëherë në fushat e stadiumeve sovjetike dhe atyre të botës.

(“Si e dënuan Strelcovin”, nga Eduard Maksimovskij, ”Mir Novostei”, 12 qershor 1999, nr. 23, − 24, “Kush e burgosi ‘Pelenë rus”? nga Aleksandër Pilipcuk, “Novosti”, 7 prill 2010, “Çështja Eduard Strelcov, ose 7 vjet “jashtë loje”, nga Svjetosllav Vasëillik, “Sport Ekspres”, në Ukrainë, 15 nëntor 2011, “Strelcov − lartësia kritike e fluturimit”, nga Aleksei Rizhkov, “Novaja Gazeta”, 28 maj 2008).

Pra, përse u arrestua dhe u dënua Strelcovi?! Sipas artikujve të mësipërm dhe intervistave televizive me personalitete të njohura të futbollit sovjetik të asaj periudhe, del se ishin disa arsye që sollën si pasojë që ndaj këtij futbollisti të madh të merrej një vendim kaq i llahtarshëm.

Arsyeja parë, ideologjike: Strelovi u dënua nga Partia, që të tjerët të dinin se ne, (pra të Partisë) “Nuk falim askënd, qoftë yll i futbollit”).

Arsyeja e dytë, politike: Qarkulluan zëra se Strelcovi, pas përfundimit të Botërorit ’58-ës, kishte ndërmend të mbetej në Suedi. Përse në këtë vend?! Sepse që në qershor të vitit 1955, kur gjatë ndeshjes Suedi − Bashkimi Sovjetik, të zhvilluar në Stokholm, Strelcovi kishte qenë autor i tre, nga të 6 golat e shënuar në portën kundërshtare, ai kishte lënë përshtypje kaq të thella, sa menjëherë nga klube vendase, i ishte bërë propozimi joshëse që të mbetej në Suedi.

Kësaj i trembeshin shumë qeveritarët rusë, po të marrim parasysh se pas Revolucionit hungarez të vitit 1956, të mbytur në gjak nga tanket ruse, ishte arratisur skuadra e famshme “Honved”, me Pushkashin legjendar në krye, dhe për më tepër edhe gjatë turneut të “Torpedos” në Francë, më 1957, atij i ishin bërë propozime të tjera joshëse, nga klube franceze.

Arsyeja e tretë, e brendshme: Drejtuesit e “Dinamos” së Moskës, skuadër e Ministrisë së Brendshme dhe CSKMO – së, e Ministrisë së Mbrojtjes, kishin dashur që Strelcovi, të linte “Torpedon” dhe të luante më njërin prej këtyre skuadrave. Edhe ata e kishin joshur me të mira materiale. Por ai nuk kishte pranuar!

Arsyeja e katërt − femërore: Hakmarrje e Ekaterina Furcevës, ministre e Kulturës dhe sekretare e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, mbi të gjitha dhe mikeshë e ngushtë e Hrushovit, sepse Strelcovi, kishte pasur guximin të mos pranonte që të lidhte jetën me të bijën e saj 17-vjeçare, e cila e adhuronte. Veç kësaj, pas një takimi në Kremlin, Strelcovi u ishte shprehur shokëve, se ai nuk do të martohej kurrë me një vajzë fytyrë “majmuni’, siç ishte vajza e Furcevës.

Njëra, më shumë, ose më pak se arsyet e tjera, ose të tëra së bashku, mund merren si bazë e dënimit të Strelcovit, ndaj të cilit u thur kurthi i mëposhtëm:

Pas ndeshjes Bashkimi Sovjetik − Poloni, të zhvilluar në stadiumin “Dinamo” të Moskës, më 24 maj të vitit 1958, futbollistëve të përfaqësueses, iu dha një ditë e gjysmë pushim, për t’u paraqitur pastaj, në hotelin ku ata do të përfundonin përgatitjet e fundit për Botërorin e Suedisë.

Të nesërmen, Strelcovi së bashku me shokët e tij, Ogonjkov dhe Tatushin, të dy futbollistë të “Spartakut” të Moskës, u drejtuan me makinë në rrugën “Gorki”, ku i priste piloti ushtarak, Eduard Karahanov, që kishte ardhur me pushime nga Lindja e Largët, dhe dy shoqet e tij, Ina dhe Irina.

Me propozimin që kishte bërë më parë Karahanovi, ata shkuan në vilën e këtij të fundit, që ndodhej në Tishkovë, qytet i vogël pranë Moskës. Me të mbërritur atje, Ina premtoi, se do të sillte me vete dhe dy shoqe të tjera, Tamara Timoshukun dhe Marina Lebedjevën. Dhe ashtu u bë. Pastaj ata blenë vodka dhe ushqime të thata, vajtën për t’u larë në bregun e një lumi dhe pasi u argëtuan, duke kënduar e luajtur volejboll, rreth orës 21.00, u kthyen në vilë.

Sipas pohimeve të Strelcovit, në procesin hetimor; “pinë secili më shumë se nga një litër vodkë dhe u dehën tërësisht”. Pastaj, ashtu të dehur, shkuan të flinin nëpër dhoma të vilës. Këtu nis filli i kurthit të ndyrë. Sipas dëshmive të Lebedjevës në hetuesi, (duhet theksuar se ajo nuk ishte aspak e hijshme), Strelcovi, gjatë kohës kur ishin shtrirë për të fjetur, e kishte përdhunuar.

Më pas kur ishte përmendur, ajo kishte ulëritur dhe e llahtarisur, që pa u gdhirë mirë, ishte ngritur dhe kishte shkuar në shtëpinë e saj. Kur e kishte parë të tromaksur, e ëma kishte kuptuar ç’i kishte ndodhur së bijës. (Të tëra këto pohime, janë të ruajtura në proces-verbalet e hetuesisë).

Edhe tre futbollistët, dhe bashkë me ta edhe piloti Karahanov, u pyetën në hetuesi rreth këtij skandali. Atëherë, nga agjentë të KGB -së, Strelcovit iu kërkua të pranonte ç’kishte ndodhur, dhe të nënshkruante formalisht proces-verbalet, sepse, ja, pas disa ditësh ai do të lirohej dhe së bashku me përfaqësuesen sovjetike, do të nisej për në Suedi. Dhe Strelcovi 21-vjeçar, naiv, pranoi dhe e ra kështu në grackë.

Pastaj gjithë materialet që u grumbulluan nga procesi hetimor, u ndodhën në tryezën e zyrës së Hrushovit. Dhe ky burrë i madh, i superfuqisë së dytë në botë, në vend që të ta trajtonte këtë çështje kaq të papritur dhe kaq delikate, me gjakftohtësi, urdhëroi: “Strelcovi të dënohet menjëherë. Dhe jo pak”!

Prokurori i Përgjithshëm i Bashkimit Sovjetik, Rudenko, që ia detyronte këtë post, vetë Hrushovit, qepi gojën. Për mungesë provash, Ogonjkovi dhe Tatushini, u liruan dhe shkuan të vazhdonin stërvitjet. Strelcovi u mbajt në burg dhe pas procesit gjyqësor, u dënua me 12 vjet heqjeje lirie e, u dërgua për riedukim në kampin e punës në Vjatllag, ndër më të tmerrshmit e kampeve të përqendrimit, në Bashkimit Sovjetik.

E vërteta e këtij kurthi doli në dritë vetëm pas viteve 2000. I shestuar nga organet qeveritare sovjetike, ai pati për autor pilotin Karahanov. Ishte ai që ia vuri syrin Lebedjvës, gjatë mbrëmjes, që bëri seks me të dhe pastaj kur Strelcovi flinte si i vdekur, e mori në krahë këtë vajzë, tashmë të përhumbur, dhe e vuri në shtratin e këtij të fundit.

Më pas doli se ai kishte qenë agjent i fshehtë i KGB-së. Gjatë hetimeve doli gjithashtu se njollat e gjakut që u gjetën në çarçafët e shtratit ku flinte Strelcovi me Lebedjevën, ishin të një grupi të njëjtë me grupin e gjakut të Karahanovit, por menjëherë u dha urdhër që kjo pistë të mos ndiqej.

Skënder Halili

Nëse Strelcovin nuk kisha si ta njihja, sepse “Torpedo” e Moskës nuk erdhi në Shqipëri për ndonjë turne, si skuadra tjetër moskovite “Spartak”, në vitet 1946 dhe ’51, Skëndër Halilin, e pata njohur jo vetëm në fushat e stadiumeve, por edhe në jetë, si gazetar, radio − komentator sportiv dhe shok, ndonëse jo të afërt. Madje që fëmijë, kur luante futboll së bashku me Panajo Panon dhe kalamaj të tjerë, të rrugës “Fortuzi”.

Pastaj në vitet ‘55 – ’56, kur nisi të merrte pjesë dhe me ekipin e të rinjve të “17 Nëntorit” që drejtohej nga Xhavit Demneri, njeri i heshtur që me aq pasion, veç dy të mësipërmve, përgatiti një brez të tërë të rinjsh, si: Fatmir Frashërin, Gëzim Kasmin, Skënder Hykën, Elinin, Bari Ishkën, Niko Xhaçkën, Pavllo Bukovikun, vëllezërit Osman dhe Ali Mema, Bixh Bytyçin, Gjokën, Perikli Dhalesin e, plot të tjerë që luajtën edhe me përfaqësuesen tonë. Halili, ashtu si Strelcovi, pati një ngritje të furishme. Kampion kombëtar me të rinjtë e “17 Nëntorit”, (1956 – ‘58), kur ishte 18 vjeç, e pastaj ndër futbollistët më të mirë të rritur të kësaj skuadre, më 1958 – ‘59.

Siç kam vënë në dukje, më 1960, duke qenë gazetar i Radio Tiranës, pata bërë një intervistë me Lukshinovin, specialist i njohur i futbollit sovjetik, i cili nga mesi i viteve ’50-të kishte ndihmuar për ngritjen e futbollit tonë. Kishte pëlqyer që atëherë Halilin dhe Panon.

Dhe mrekullohej kur i shihte të luanin tani pas kaq vitesh, i pari tashmë ushtar, në radhët e “Dinamos” dhe i dyti me “17 Nëntorin”. Dhe këto përshtypje, m’i shprehu pastaj me kënaqësi në atë intervistë. (Një vit më pas edhe Panoja, do të thirrej ushtar në Marinë dhe do të luante me “Partizanin”, që do ta mbërthente përgjithnjë).

Më 1963, ende pa mbaruar shërbimin ushtarak, krerët madhorë të Ministrisë së Brendshme, i kërkojnë Halilit, të mos kthehet te “17 Nëntori”, sepse, duke luajtur përsëri me “Dinamon”, kampione e vitit 1960, do t’i krijohen kushte shumë më të mira materiale. (Ashtu si krerët e klubeve të “Dinamos” dhe CSKMO-së së Moskës, i bënin të njëjtën kërkesë edhe Strelcovit).

Por Halili, si futbollisti sovjetik, nuk pranon. Ai shprehet me këmbëngulje të rikthehet te shokët e tij të “17 Nëntorit, me te cilët është rritur. Ata të Ministrisë së Brendshme nuk kanë nga ia mbajnë. Por nuk ia harrojnë.

Tashmë ”17 Nëntori”, i drejtuar nga Myslym Alla, po shpërthen; jo vetëm matet denjësisht me “Partizanin” dhe “Dinamon”, por edhe i mposht. Ndër heronjtë e skuadrës, është dhe Halili, qendërmbrojtës i shquar, më i shquari nga tërë qendërmbrojtësit tanë deri në vitet ’60-të dhe madje edhe sot në radhët e qendërmbrojtësve, më të mirë në historinë e futbollit shqiptar.

Ndërkohë, merr pjesë në 40 takime ndërkombëtare dhe 9 takime me përfaqësuesen e Shqipërisë, për turnetë përcilësuese të Euro ’64-ës dhe Botërorit ’66. Gjithnjë i shkëlqyer. Falë përdorimit të topit, kërcyeshmërisë, shkathtësisë dhe shtalartësisë, që i japin mundësi të shënojë gola dhe me kokë, cilësi këto gjithnjë në rritje.

Rastiste që edhe të luante, në mos keq, jo dhe aq mirë. Mbaj mend se një ditë pranvere të vitit 1965, rastësisht takuam në rrugë. Më tha se gjatë komentimit në radio të një ndeshjeje të fundit, “17 Nëntori” − “Vllaznia”, i kishin thënë, se nuk e kisha lëvduar.

“Dhe më të drejtë, − vazhdoi. − Ne futbollisët, duhet të kemi parasysh, se nuk na ndjekin vetëm mijëra e mijëra tifozë në shkallët e stadiumeve, por edhe me qindra mijëra nga komentet e Mazrekut të Bellovës dhe të tuat. Luajmë mirë, na vlerësoni, luajmë keq, na kritikoni”.

Arrestimi i Halilit dhe vazhdimi i trysnisë e diktaturës ndaj “17 Nëntorit”

Erdhi kështu shtatori i vitit 1966. Siç e thashë, “17 Nëntori” kampion, do të ndeshej në Oslo për turin e parë të Kupës së Kampionëve, (sot Liga e Kampionëve), me kampionen e Norvegjisë, “Fredrikstadt”. Futbollistët ishin grumbulluar në një hotel modest të Tiranës. Dhe ja e papritura:

“Ne ishim duke fjetur, − tregon Gëzim Kasmi, − ish-futbollist i njohur i “17 Nëntorit”, − kur befas në mëngjes herët, dëgjuam disa britma poshtë, pastaj në rrugë dhe nëpër shkallët e hotelit. Dëgjuam më pas, të përmendej emri i Skënder Halilit. Asnjë nga ne, nuk guxonte të hapte derën e dhomës. Nga ora 9.30, erdhën përgjegjësit e klubit dhe na dhanë lajmin, se do të largoheshim nga hoteli. “17 Nëntori”, nuk do të shkojë në Norvegji, për të zhvilluar ndeshjen, − na thanë”.

Kishin arrestuar Skënder Halilin. Për tri orë dore dhe 57 dollarë, që kishin gjetur në shtëpi, e dënuan me një vjet burg këtë talent të rrallë. (Irfan Rama, “Lufta për shkatërrimin e “Tiranës”, “Sporti Shqiptar”, 25 maj, 2011).

Hakmarrje e diktaturës sovjetike ndaj Strelcovit, edhe pse nuk donte të luante me skuadrat ushtarake, hakmarrje thuajse për të njëjtat arsye edhe e diktaturës komuniste shqiptare.

Sa e sa sportistë ose artistë kishin marrë gjatë turneve jashtë vendit pak dollarë për të blerë nga ato sende kinkaleri që mungonin prej vitesh në tregun tonë!? Dhe Sigurimi kishte mbyllur të dyja sytë. Mund t’i mbyllte dhe për Skënder Halilin, mund t’i jepte një paralajmërim që të mos e përsëriste, sepse ishte futbollist që nuk i duhej vetëm “17 Nëntorit”, por edhe përfaqësues sonë, sepse një i tillë si ai do të mungonte për vite e vite në fushat e futbollit.

Por diktatura komuniste shqiptare ishte egërsuar dhe donte të dënonte edhe vetë klubin e “17 Nëntorit”. Kështu Kasmi thirret ushtar dhe dërgohet në Skrapar për të hapur toka të reja. Emisarët e Ministrisë së Mbrojtjes nuk marrin parasysh se ai ka mbaruar arsimin e lartë. Në zbor ushtarak dyvjeçar merret dhe dërgohet në Shkodër edhe Ali Mema. Edhe ai me arsim të lartë.

Dheja, në qershor të vitit 1967, “17Nëntori”, siç do të rrëfej më poshtë, përjashtohet së bashku me “Partizanin”, për grindje dhe sjellje të pahijshme të futbollistëve të të dyja skuadrave, kur tiranasit fitojnë ndeshjen, (2 − 1), dhe janë shumë pranë fitimit për të tretën herë radhazi të titullit kampion. Dhe kështu titulli i mbetet në derë…“Dinamos”. Por të mos harrojmë se edhe jo, është skuadër e diktaturës./Marrë nga Memorie.al



Lexoni të gjitha në Bota Sot